Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu sot mori pjesë në debatin me arsimtarët e shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Çairit në të cilin u angazhua për krijimin e standardeve të mësimdhënies në përputhshmëri me të arriturat bashkëkohore në rajon, Evropë dhe më gjerë.
“Intenca e çdo shoqërie të avancuar është përkushtimi për krijimin e standardeve gjithëpërfshirëse dhe cilësore, me të vetmin qëllim ngritjen e nivelit të diturive, zhvillimin e kreativitetit dhe krijimin e mundësive për inovacion. Do të angazhohemi në krijimin e standardeve të mësimnxënies dhe të mësimdhënies në përputhshmëri me të arriturat bashkëkohore në rajon, Evropë dhe më gjerë. Në këtë drejtim, prioritet do t’i jepet mësimit të gjuhëve të huaja, rritjes së kapaciteteve teknologjike-informatike, reformatimit të kurikulumeve, hapjes së drejtimeve dhe shkollave –model mbi parimin e shkollave të dëshmuara ndërkombëtare”, tha në fjalimin e tij ministri Lutfiu.
Në këtë debat paraqitje të tij ka pasur edhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti i cili potencoi se gjatë mandatit të tij të gjitha shkollat udhëhiqen nga drejtorë shqiptarë, ndërsa numri i nxënësve shqiptarë në qytetin e Shkupit është në rritje nga 30-35 për qind. “Numri i të punësuarve sillet në 500. Ne me këtë dëshmojmë se dimë të menaxhojmë punët tona, është hapja e UNT-së që u bë pa protesta nga pala tjetër dhe përballë Parlamentit republikan të shtetit”, theksoi Mexhiti. Ai përmendi gjithashtu edhe zgjidhjen e çështjes së objektit të ZLM-së. Bartësi i listës në njësinë zgjedhore 2 të BDI-së Ejup Alimi, në fjalën e tij në debatin e sotëm me arsimtarët në Komunën e Çairit tha se arritjet në arsimin shqip deri tani janë rrumbullakësuar më hapjen e UNT-së në Shkup. “Kjo përdëfton se arsimi po shkon drejt promovimit të filozofisë së re, veçmas mbi cilësinë në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Arritje deri më tani, këto të rrumbullakësuar me hapjen e UNT-së. Hapja e UNT-së garanton një familje dhe shoqëri funksionale me të cilat të arritura garantohet një ardhmëri e sigurt e shoqërisë shqiptare”, thotë Alimi.