“Rrëshqitja” aspak etike ndaj Antonio Rudiger-it mund t’i kushtojë shtrenjë Senad Lulic-it. Mesfushorit të Lazio-s që ofendoi romanistin duke e etiketuar si “shitës çorapesh dhe rripash”, tashmë do t’i duhet të përballet me Prokurorinë Federale. Lulic rrezikon një skualifikim prej 10 javësh, ose edhe më të gjatë, nëse do të zbatohet rregullorja për ofendimet raciste. E vetmja rrugë shpëtimi për të do të ishte një përgjysmim i dënimit, me një pjesë të tij që mund të shlyhet përmes shërbimeve sociale të karakterit sportiv. Kjo nëse shprehja e përdorur prej tij të mos kategorizohet si “dhunim i principeve të besnikërisë dhe korrektesës”. Në këtë rast mund të ndëshkohet me një paralajmërim të thjeshtë ose një ndalesë të shkurtër. Por fakti është se Lulic do të ndëshkohet pavarësisht ndjesës së menjëhershme që Lazio kërkoi për të. Një veprim që vetëm sa e ka zbutur disi atë që ndodhi në fushë. Tashmë fjala i takon drejtësisë sportive e cila do të marrë vendimin. Problemi për Lulic është se ka një precedent që nuk e favorizon. Bëhet fjalë për Alberto Grassi-n, i cili u pezullua me 10 javë kampionat, për ofendimin racist ndaj një kundërshtari gjatë ndeshjes Atalanta-Verona në kampionatin e moshave 2014. Ndërkohë mesfushori i Roma-s Radja Nainggolan i ka dërguar një mesazh Senad Lulic-it. Në profilin e tij në Instagram ndërkombëtari belg ka publikuar sloganin “Jo ndaj racizmit!” të shoqëruar me statusin: “Dikush duhet të mësojë këto tre fjalë!” Edhe ish-juventini Nicola Legrottaglie ka komentuar sjelljen e Lulic: “Lulic ka harruar një nga parimet themelore në sport: respektin për kundërshtarin. Ndoshta Rudiger do të ketë thënë diçka po aq provokuese ndaj Lulic-it dhe nëse është e vërtetë e njëjta gjë vlen edhe për të. Sjellja ndaj një kundërshtari tregon se cilët jemi. Nëse do të isha Lulic do ta kisha blerë një rrip, duke reflektuar për atë që mund të na mësojë: Rripi lidhet fort pas jetës. Të njëjtën lidhje duhet të kemi edhe ne me respektin”.