Omer XHAFERI
Shkup, 7 shkurt – Parashikimet për sigurinë tregojnë se edhe këtë vitë të hollat do të mbesin motivi kryesor për të kryer forma të ndryshme të krimit kibernetik dhe kjo u vërtetua në muajin e parë të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në Maqedoni janë parashtruar disa kallëzime penale për raste ku kriminelët e dyshuar kanë vjedhur disa milionë denarë. E ngjashme është situata në vendet e rajonit si dhe në Evropë, ku janë zbatuar apo finalizuar disa hetime ndërkombëtare për grupet e krimit të organizuar. Subjekt i shumicës prej këtyre krimeve kibernetike ka qenë tërheqja e parave nga llogaritë bankare duke përdorur të dhëna të rreme dhe të vjedhura.
Llogari bankare të rreme
Kështu, sektori për krim kibernetik dhe forenzikë dixhitale në Ministrinë për Punë të Brendshme javën e kaluar ngriti kallëzim penal kundër për dy persona për shkak të dyshimit se kanë përpunuar dhe përdorur llogari bankare të rreme. Bëhet fjalë për aktivitete të cilat të dyshuarit i kanë realizuar nga marsi deri në qershor, duke bërë falsifikim të kartelave bankare.
“Nëpërmjet internetit kanë krijuar të dhëna bankare nga kartelat e kredive që janë në përdorim nga dikush tjetër, me të cilat kanë kryer më shumë transaksione të suksesshme joligjore, gjegjësisht përmes faqeve të internetit kanë bërë rezervime për aranzhmane fiktive, duke lënë të dhëna nga kartelat e kredive të cilat më parë kanë qenë ta falsifikuara dhe të keqpërdorura”, thonë nga MPB, duke shtuar së në këtë mënyrë ata kanë përfituar rreth 4.5 milionë denarë.
MPB informoi dhjetë ditë më parë edhe për një rast më serioz në vend. Gjithashtu, për përpunim dhe përdorim të kartelave të rreme është dyshuar një 37 vjeçar, shtetas bullgar. Ai gjatë janarit është furnizuar me të dhëna bankare prej kartelave që përdoren nga posedues të tjerë dhe me to ka kryer transaksione të paligjshme në shumë prej 384 mijë denarëve. Ka rezervuar edhe hotel në Shkup, prej ku edhe është arrestuar. Dyshimet për transakcione të paligjshme i kanë vërejtur në bankë, prej ku edhe kanë lajmëruar policinë. Siç kumtoi policia, ai ka deklaruar se qëndrimin në hotel ja ka paguar një firmë nga Australia, për të cilën ka thënë se është duke punuar. Ai gjithashtu para policisë ka thënë se nuk din asgjë në lidhje me pagesën dhe se nuk ka asnjë lidhje me kartelat e falsifikuara. Megjithatë, sipas informatave të policisë, gjatë qëndrimit të tij në Shkup, ai ka qenë në disa vende në qendër të qytetit dhe në Aeroportin e Shkupit, për të rezervuar biletë për në Dubai.
Sa i përket rasteve të regjistruara jashtë Maqedonisë, në një prej hetimeve më të mëdha ndërkombëtare ishte grup i organizuar kriminal që ka kryer sulme shumë të sofistikuara, gjegjësisht me lëshimin e viruseve kompjuterike nga bankomatet ka vjedhur 3,2 milionë dollarë. Grupi ka qenë i stacionuar në Evropë, ka përdorur teknika të ndryshme piraterie dhe u ka dërguar viruse punonjësve të bankave, që me sukses të arrijnë të kyçen në rrjetin e internetit të bankave, duke ju mundësuar kështu të lidhen edhe me rrjetin e bankomateve nga ku edhe i kanë nxjerrë paratë. Për shkatërrimin e këtij grupit kanë bashkëpunuar polici nga Evropa dhe Azia, ndërsa mbështetje ka dhënë dhe Qendra evropiane për krim kibernetik e EUROPOL-it. Hetimi ka filluar në fillim të vitit të kaluar, kurse vjet gjatë verës janë arrestuar tre persona nga grupi pesë anëtarësh. Personat e arrestuar janë nga Lituania, ndërsa janë kapur në Tajvan gjatë një operacioni tjetër për vjedhje masive nga bankomatët, ndërsa janë dënuar me nga pesë vjet burg. Edhe dy anëtarë tjerë u arrestuan në janar të këtij viti, njëri në Rumani, ndërsa tjetri në Bjellorusi. Siç kumtoi Europol, ata kanë pasur shtetësi të dyfishtë, që u ka mundësuar lehtë të kalojnë kufijtë dhe të fshihen nga policia. Pas arrestimit të të gjithë pjesëtarëve të grupit, udhëheqësi i Qendrës evropiane për krim kibernatik të Evropol, Stiven Uillson, ka apeluar për bashkëpunim më të ngushtë mes vendeve anëtare për asgjësimin e krimit kibernetik.
Ja çka parasheh ligji në Maqedoni
Përpunimi dhe keqpërdorimi i kartelave të rreme bankare është vepër penale, për të cilën në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë, parashihet burg deri në tetë vite. Ai i cili do të përpunojë kartelë të rreme bankare për ta përdorur si të vërtetë, apo të njëjtën ia jep dikujt tjetër për ta përdorur, dënohet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet si dhe gjobë të paraparë me ligj, thuhet në Kodin penal. Në raste kur bëhet fjalë për shumë më të madhe të të hollave të cilat do ta keqpërdoren nga kryerësi i veprës, thuhet se dënimi me burg është prej një deri tetë vjet. Ndërsa, kur bëhet fjalë për anëtarë të grupit, grup, bandë ose pjesë të grupit kriminal, parashihet dënim prej së paku katër vjet. Nëse këtë vepër penale e kryen person juridik, gjegjësisht firmë, parashihet dënim me kusht dhe në të holla.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.