LSDM në kumtesën e sotme vlerëson se lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski vazhdon t’i gënjejë dhe manipulojë anëtarët e vet, e posaçërisht të rinjtë. Duke folur për fjalimin e djeshëm të Gruevskit në konferencën vjetore të Unionit të forcave të reja të VMRO-DPMNE-së, LSDM thekson se politikat ekonomike të Gruevskit e shkaktuan papunësinë më të madhe të të rinjve në Maqedoni.
“Politikat e dështuara ekonomike të Gruevskit e shkaktuan papunësinë më të madhe të të rinjve në Maqedoni, që sipas Bankës botëroe paraqet rreth 53 për qind, lanë 500.000 qytetarë të jetojnë nën pragun e varfërisë dhe shpërngulën 626.312 qytetarë jashtë shtetit prej të cilëve kryesisht njerëz të rinj të arsimuar”, thuhet në kumtesë. LSDM thekson se Qeveria e re do të punojë aktivisht në përmirësimin e dëmeve, të cilat, siç thuhet, Nikolla Gruevski ia bëri Maqedonisë.