Shkup, 14 shkurt – Një anketë e re e realizuar nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), Agjencia PROSPEKT dhe TV TELMA, me mbështetjen e USAID-it amerikan, ka nxjerrë Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) partinë e parë te shqiptarët, Lëvizja BESA e dyta, ndërsa BDI që tashmë ka 10 deputetë – ka kaluar në vendin e tretë sa i përket mbështetjes te elektorati shqiptar, shkruan gazeta KOHA. Anketa e realizuar nga 4-10 shkurt tregon se LSDM ka mbështetjen e 20.4% të të anketuarve shqiptarë, Lëvizja BESA 15.1%, BDI e treta me 14.2%, LR-PDSH 6.7%, si dhe PDSH 10.2%, ndërsa 21.5% nuk kanë dhënë përgjigje. Në ndërkohë, është ofruar edhe gara mes VMRO-së dhe LSDM-së. Partia e Gruevskit ka mbështetjen e 23.3%, ndërsa LSDM 23%.
Megjithatë, mbi 30% të anketuarve duan Qeveri të zgjeruar, derisa mbi 70% e shqiptarëve duan Qeverinë ta kryesojë LSDM. Edhe simpatizantët dhe votuesit e BDI-së duan Qeveri me LSDM-në, ose mbi 42% e votuesve të BDI-së duan koalicion me Zoran Zaevin, derisa 24% janë për koalicion me VMRO-në e Nikola Gruevskit. Vetëm 21.2% e votuesve të BDI-së duan Qeveri të zgjeruar. Edhe votuesit e BESËS preferojnë Qeveri me Zoran Zaevin – 42%, ndërsa përqindjen më të madhe që e dëshirojnë Zaevin kryeministër e kanë shprehur votuesit e Aleancës për shqiptarët – 93%, 0% për Gruevskin dhe 0% për Qeveri të zgjeruar. Në PDSH preferencat janë kështu: 45.5% e votuesve të partisë së Menduh Thaçit duan koalicion me LSDM-në, 13.6 me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, derisa 40.9 Qeveri të zgjeruar. Mbi 56% e të anketuarve janë shprehur kundër zgjedhjeve të reja, ndërsa zgjedhje duan vetëm 38% e të anketuarve. Mbi 70% e të anketuarve që janë votues të VMRO duan zgjedhje të reja, derisa 81.5% e votuesve të LSDM-së nuk duan zgjedhje. Të anketuarit shqiptarë janë shprehur qartë kundër zgjedhjeve, madje rreth 71% , derisa 24.9% mendojnë se zgjedhjet e reja e nxjerrin vendin nga kriza. Anketa është realizuar nga 4 deri më 10 shkurt me 1000 të anketuar nëpërmjet telefonit. (koha.mk)