Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Antoine Griezmann janë tre kandidatët e mbetur në garë për çmimin “Lojtari më i mirë në botë i FIFA-s” për vitin 2016. Emra të mëdhenj si Gareth Bale, Luis Suarez, Neymar dhe Robert Lewandowski ishin në listën fillestare prej 23 lojtarësh, por në fund ata humbën një vend në podium. Kandidatët janë nxjerrë nga votat e kapitenëve dhe trajnerëve të kombëtareve, gazetarëve të përzgjedhur nga gjithë bota dhe tifozëve nëpërmjet uebsajtit të FIFA-s. Kandidatët e çmimeve të tjera, fituesit e të cilave do të shpallen më 9 janar në Zyrih, janë:
Trajneri më i mirë – Italiani Claudio Ranieri është ndër tre kandidatët për çmimin “Trajneri i vitit i FIFA-s” pas suksesit të jashtëzakonshëm që arriti në sezonin e shkuar duke fituar titullin kampion të Anglisë me Leicester City-n. Ndërkohë, si kampion Evrope me Portugalinë, Fernando Santos është i përfshirë gjithashtu në listë, ashtu si edhe Zinedine Zidane, i cili është sinonimi i “La Undecima”-s me Real Madrid-in në Ligën e Kampionëve.
Lojtarja më e mirë – Për femrat, treshja është gjithashtu e fortë. Mesfushorja gjermane e cila sivjet u shpall kampione olimpike, Melanie Behringer, sfidon dy lojtare të cilat e kanë fituar më parë çmimin e më të mirës në botë. Ato janë Cali Lloyd nga SHBA-ja, e cila mbron “kurorën”, dhe Marta (5-herë fituese e trofeut individual) nga Brazili. Të trija kandidatet kanë luajtur më shumë se 100 ndeshje me kombëtaret respektive.
Trajnerja më e mirë – Çmimin e trajneres më të mirë për futbollin e femrave, ndërkohë, do ta diskutojnë Jill Ellis nga SHBA-ja (22 fitore në 25 ndeshje të vitit 2016), ish-trajnerja e Gjermanisë, Silvia Neid (medalje ari në Rio de Janeiro), dhe Pia Sundhage, trajnerja e Zvicrës e cila në Olimpiadë eliminoi befasisht skuadrën amerikane duke arritur në finale me gjermanet.
Goli më i bukur – Kandidatët për çmimin “Puskas” për golin më spektakolar të vitit 2016 janë mesfushori brazilian i Corinthias-it, Marolone (me rrjetën e tij kundër Cobresal-it në Copa Libertadores), mesfushorja e Venezuelës, Daniuska Rodriguez (me golin kundër Kolumbisë në Kampionatin e Amerikës së Jugut U-17), dhe mesfushori i Malajzisë, Mohd Faiz Subri (autor i golit kundër Pahang-ut).