Evis HALILI
Shkup, 30 mars – Niveli i respektimit të të drejtat dhe liritë të njeriut në Maqedoni po vjen duke u përkeqësuar. Kështu konstaton Avokati i Popullit në Raportin vjetor të prezantuar në enjten. Vërejtjet më të mëdha të kreu të këtij institucioni, Ixhet Memeti, iu adresuan institucioneve të cilat i quajti jofunksionale dhe të politizuara në ekstrem, një pjesë e të cilave realizojnë agjendat partiake, shkruan gazeta KOHA. Gjatë vitit të kaluar janë shënuar 20 për qind më shumë ankesa për trajtim të pabarabartë dhe diskriminim të të punësuarve në administratën publike në bazë të bindjeve politike. Situata është e ngjashme dhe pa përmirësime të dukshme edhe për popullsinë shqiptare dhe të etnive më të vogla lidhur me sistematizimin e tyre në vende drejtuese në punë. Sa i takon përbërjes etnike, mbi 19 për qind të numrit të përgjithshëm janë shqiptarë, por pozicionimi i tyre në poste drejtuese është në nivel të ulët. Sipas shifrave të publikuara në raport, në shumë institucione përqindja e të punësuarve është 100 për qind maqedonase, sidomos në postet drejtuese. Të tilla janë në sistemin e gjyqësorit, si Gjykata e Lartë Administrative, Gjykata Administrative, Avokati i Shtetit, Këshilli i Prokurorëve Publikë, Këshilli Gjyqësor, por edhe në institucione të tjerra, si Akademia e Shkencave dhe Arteve, Shërbimi i Punëve të Përbashkëta e të Përgjithshme. Ajo që vërehet edhe në këtë raport është se edhe kur numri i punonjësve shqiptarë dhe përqindja e tyre është më e lartë se 20, apo 30 për qind, përfaqësimi i tyre në poste drejtuese është në shkallë shumë të ulët. Raporti konstaton se të pakorrigjueshëm sa i takon respektimit të përfaqësimit të drejtë etnik dhe drejt përkeqësimit janë prokuroritë publike, burgjet, shëndeti publik. Numri i punonjësve shqiptarë është mbi 23 mijë, ose 19,2 për qind e numrit të përgjithshëm. Por vetëm 1342 prej tyre ose 14,7 për qind janë në një pozicion udhëheqës, ndërsa maqedonasit zënë 79,5 për qind të posteve drejtuese. Pjesa më e madhe e të punësuarve shqiptare janë në vende pune jo drejtuese, si edhe të emëruar. Gjatë dhjetë viteve të fundit numri i përgjithshëm i punonjësve është rritur me rreth 9 për qind, aq sa ishte në vitin 2007 kur numri i punonjësve shqiptarë ishte rreth 6500. “Dua të theksoj se ka institucione të cilat nuk e kuptojnë rolin e Avokatit të Popullit, krahas obligimit ligjor ata thjesht nuk bashkëpunojnë, ndërsa të tjerë e pengojnë vrazhdë punën e tij. Për shkak të mosbashkëpunimit dhe pengimit të punës nga ana e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Shëndetësisë, Punëve të Brendshme, Drejtësisë, Prokurorisë publike, Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Ujësjellësi dhe Kanalizimet, Avokati i Popullit nuk arriti t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve. Po ashtu shpreh shqetësimin tim të madh për praninë gjithnjë e më të madhe të gjuhës së urrejtjes në media, rrjetet sociale, nga persona publikë dhe bartës të funksioneve të larta dhe e njëjta nuk sanksionohet”, ka deklaruar Memeti. Vërejtjet e Memetit, po ashtu, iu adresuan punës së policisë të cilën e etiketoi si joprofesionale dhe brutale, me theks tek policia e burgjeve që përdor forcë jashtëligjore ndaj të dënuarve. Cenime më flagrante të të drejtave Memeti ka vërejtur edhe tek sistemi pensional, mbrojtja sociale, tek punësimet e personave me aftësi të kufizuara, depërtimet e paligjshme të refugjatëve, arkëtime të paligjshme të taksës radiodifuzive dhe të ujit, e të tjera. Numri i rasteve të paraqitura tek Avokati i Popullit gjatë vitit të kaluar ka qenë mbi katër mijë, ndërsa 37 raste të tjera janë hapur me iniciativën e tyre.
POSTE DREJTUESE:
Maqedonas 7249 – 79,5 për qind
Shqiptarë 1342 – 14,7 për qind
NUMRI I PËRGJITHSHËM I PUNONJËSVE NË VITIN 2016 – 123.127 persona:
Maqedonas – 91.384 (74,2 për qind)
Shqiptarë – 23.596 (19.2 për qind)
Turq – 2.436 (2 për qind)
NUMRI I PËRGJITHSHËM I PUNONJËSVE NË VITIN 2007 – 56.629 persona:
Maqedonas – 49.923 (83,72 për qind)
Shqiptarë – 6.429 (10,78 për qind)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara