Arlinda CANAJ
Një kalvar mund të quhet jeta e saj. Një kalvar vuajtjesh të pasosura për një grua që me të vërtet ishte një grua e artë. Një nga gratë e para të shkolluara në Shqipëri, një nga aktivistet më të mëdha të luftës, një patriote dhe grua e mençur që me jetën e saj dha leksione mbijetese dhe krenarie. Pasi u shkollua në liceun “Nëna mbretëreshë”, ajo ishte një ndër aktivistet më të mëdha të LNÇ dhe pas luftës zuri poste të larta drejtuese. Jeta e saj ishte me të vërtet frymëzuese. Po pse ajo u konsiderua armikja e madhe e Nexhmijes dhe Enver Hoxhës? Ndër intervistat e shumta që ka dhënë jemi munduar të ndërtojmë të vërtetën e madhe historike të kësaj gruaje heroinë. Cili ishte shkaku i prishjes së saj me Enver Hoxhën? Në një intervistë ekskluzive Liri Belishova tregon të vërtetat e saj historike. Sipas dëshmive të saj, përplasja zyrtare me Enver Hoxhën ka ndodhur pikërisht në pranverën e vitit 1960. Ishte 90 vjetori i lindjes së Leninit dhe partia komuniste kineze botoi një sërë artikujsh me tituj si “Rroftë leninizmi” e parulla të tjera komuniste. Ishte një fushatë e madhe histerie që në fakt kishte lindur nga kongresi i XX dhe rryma që filloi nga ai. Drejtori i ATSH-së, Thanas Nano, dërgonte lajmet në dy zarfe: njëri ishte blu dhe i shkonte gjithë agjencive të lajmeve dhe gazetave, pra shkrimet që do botoheshin dhe tjetri ishte me lajmet e Reuters që botoheshin veç me autorizim. Ishte një periudhë e vështirë dhe konfuzion lajmesh.
Çfarë ndodhi?
Kampi socialist ishte në shpërbërje dhe të gjithë gazetarët me në krye Thanasin nuk dinin kë lajme të botonin dhe kë jo. Në skenë kishte ardhur miku i madh kinez. Çfarë qëndrimi duhej mbajtur me lajmet që vinin nga kampi socialist evropian? Udhëheqësit komunistë lëshonin urdhra absurdë. Një censurë e çuditshme që vinte në ankth çdo gazetar. Sigurisht që situata në vendet socialiste nuk ishte ajo që ka bërë të ditur historiografia komuniste e Enver Hoxhës. Pas vdekjes së Stalinit dhe sidomos në kongresin XX të PK të BS në lëvizjen komuniste filloi një rrymë e re liberale që i’u kundërvu rrymës së vjetër staliniste. Kjo rrymë që nga Enveri u quajt revizioniste ishte reformatore, disi demokratike dhe paqësore.
Pati një rëndësi të veçantë sepse ua lehtësoi jetën këtyre popujve. Pas vdekjes së Stalinit nuk u pushkatua më askush përveç Berias, arrestimet ishin minimale, dhe u liruan shumë njerëz që ishin dënuar me të padrejtë. Niveli i jetesës u ngrit. Kjo luftë pati një rëndësi të veçantë edhe për evitimin e luftës termo-bërthamore sepse nëse do kishte shkuar bota në atë që thoshte Stalini patjetër që do kishim një katastrofë atomike. Politika që ndoqi BS solli një bashkëjetesë më paqësore, marrëdhënie më të mira mes Lindjes dhe Perëndimit, dialog në fushën e çarmatimit dhe evitoi luftën e III Botërore.
Nëse Enver Hoxha do të ndiqte këtë rrymë, populli shqiptar do kishte shpëtuar nga shumë vuajtje gjatë 30 viteve dhe tranzicioni do kish qenë më i lehtë. Por Enver Hoxha nuk e kishte mendjen tek shqiptarët por tek karrigia e vet. E dinte se rryma e re rrezikonte diktaturën e tij proletare. Liria do të zgjidhej si anëtare e delegacionit që shkoi në Kinë. Pikërisht në këtë kohë trazirash kur dhe vetë Enver Hoxha ishte konfuz për rrugën që do ndërmerrte u krijuan një sërë konfliktesh në rrugën që duhet të mbahej me kinezët. Ajo në fakt kishte idetë e saja por në asnjë rast nuk i shprehu hapur, duke e ditur se ç’rrugë e priste. Dhe si ndodhte rëndom në sistemin komunist do t’i visheshin intelektualëve çmenduritë e kohës.
Në librin e tij “Titistët”, pas 22 vjetësh, Enver Hoxha do të deklarojë se Liri Belishova ishte agjente e Hrushovit, mori udhëzimet e tyre etj etj.
Në shtator të 1960-ës pasi u kthye nga vizita në Kinë, Vietnam, Kore, Mongoli, Hysni Kapo do jepte përshtypjet e saj për qëndrimin e delegacionit në mbledhjen e Bukureshtit, ku diskutoi dhe ajo. Diskutimi i saj u keq prit nga Enver Hoxha. Ishte marrë tashmë vendimi absurd. Në mbledhjen e Byrosë çdo fjalë që thoshte Liria kthehej në të kundërt. Në darkën që u bë për nder të Haxhi Lleshit, Enver Hoxha deklaronte se me bombën atomike që dispononte mund të hidhte në erë Tokion, Moskën, New Yorkun, Londrën etj. Do vriteshin 500 milionë vetë, po punë e madhe do fitonte socializmi në gjithë botën. Një qëndrim arrogant që binte në kundërshtim me çdo komunist të vërtetë. Enveri kishte nuhatur mendimet e Lirisë..edhe pse të pashprehura publikisht. Kështu Byroja vendosi që të përjashtohej nga Byroja politike. Komiteti Qendror vendosi ta përjashtonte dhe organizata bazë vendosi ta jashtë-nxirrte nga partia. Kështu do të fillojë rokada. Liria do të dërgohet të punojë si drejtoreshë në shkollën 7 vjeçare “Hasan Vogli” në Tiranë. Burrin do e përjashtojnë nga ministër i Bujqësisë dhe në 9 nëntor 1960 i dërguan në fermën “Muzo Asqeriu” afër Gjirokastrës. Më pas i internuan në Kuç të Vlorës. Nga Kuçi i çuan në Progonat dhe më pas në Zvërnec e në Cërrik ku jetoi 21 vjet. Në Cërrik punoi në një fermë. Aty gruaja që kishte pasur poste të larta iu desh të provonte mbi shpinë punën e vështirë të prodhimit.
Një histori e pabesueshme në fakt. Një vajzë që gjithë jetën veç kishte studiuar i binte kurrizi nga arkat që mbante mbi shpinë. Por, më shumë se lodhje fizike ishte zhgënjimi. Kishte luftuar gjithë jetën për kauzën e saj, ishte formuar në shkollat më të mira, kishte luftuar për lirinë dhe ligjin e së drejtës dhe tashmë konsiderohej armike. Dhe për më tepër shihte dhe vuajtjen e gjithë njerëzve të saj. Një makth i vërtetë. Për më tepër presioni psikologjik nga ana e njerëzve. Por dhe fakti që jeta iu vu kundër në të gjitha përmasat. Sëmundja e vajzës ishte makthi më i madh. E sëmurë prej vitesh, një vajzë që nuk pa një çast gëzimi se kur ishte 2 vjeç prindërit iu dënuan, vdiq në moshën 22 vjeçare.
Si e ndihmoi Kadareja Liri Belishovën
Ditari i Drita Çomos është një nga dëshmitë më rrëqethëse të absurdit shqiptar të komunizmit. Drita ishte vajza e Liri Belishovës e cila u shua në moshën 23-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme. Liria ishte ende anëtare e Byrosë Politike kur do sillte në jetë Dritën. Duke ardhur në jetë në një familje intelektuale, një nënë që gjithë ditën lexonte pa fund, patjetër që në gjen asaj do i transmetohej dashuria për leximin. Por jo vetëm gjeni. Kushtet në të cilat jetoi Drita ishin të atilla që nuk mund të konsiderohen kushte normale. Ajo në fëmijërinë e saj nuk mund të shoqërohej me shoqe dhe shokë se ishte e nëmur nga regjimi. Nuk pati mundësi të dëfrehej sepse prej moshës 2 vjeçare ishte e internuar. Bota e saj ishte bota e librave. Edhe kur mori vesh për sëmundjen që kishte, nuk u frikësua. Por shfaqi një forcë të madhe në vetvete. Dhe vazhdonte të lexonte e shkruante pa fund.
Në ditët e perëndimit të jetës kur ajo po fikej nga dita në ditë, përsëri vazhdonte të lexonte dhe të përcillte ndjenjat e saj në një ditar. Biles arriti deri aty sa të fillonte të studionte dhe anglisht, ndërkohë që rusishten e kish mësuar prej kohësh. Kishte një forcë të pashtershme në vetvete. Një vajzë që kish një dritë të jashtëzakonshme optimizmi dhe në ditët e fundit të jetës. Ditari i Drita Çomos me titullin “Dritë që vjen nga humnera” është botuar në disa gjuhë të huaja dhe ky libër është krahasuar me Ditarin e Anna Frank nga mediat e huaja. Ajo që është interesante në fatin e këtij libri, përveç vuajtjes së madhe të vajzës së re është dhe interesimi që ka pasur për këtë botim, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare. Ditari në fakt është botuar në Shqipëri me ndihmën e tij.
Sapo ishin kthyer në Tiranë së bashku me të shoqin, Maqo Çomo, kur Liria vendos t’i bëjë një vizitë shkrimtarit të njohur dhe bashkëshortes së tij. Shkrimtari u tregua i gatshëm të jepte kontributin e tij që ditari të gjente dritën e botimit. Dhe ashtu ndodhi. Biles i kërkoi shumë të dhëna për jetën e Dritës. Kur mori vesh vuajtjet e kësaj vajze të re, do të shkruante një parathënie të shkëlqyer siç fundi i fundit di të shkruajë shkrimtari i madh.
…Drita Çomo vdiq dy ditë më pas nga vizita e nënës, në moshën 23-vjeçare, krejt e vetmuar, në një shtrat të spitalit Onkologjik. Qysh foshnjë kishte qenë në internim. Në moshën 18- vjeçare ishte prekur nga sëmundja e pashërueshme. Nga vjershat dhe ditarët e saj del fare e qartë se e ka ditur gjithmonë se do të vdiste shpejt. Gjithë rinia e saj kishte kaluar nën kërcënimin e vdekjes. Duke e pasur këtë minierë të zezë, këtë antithesar mizor, ajo në vjershat e saj as e shpërfill sipas recetave rozë “të ngadhënjimit shpirtëror mbi vdekjen” etj., etj., e as e kthen në vello, në dantellë të errët të recetave të kundërta: “Vdekje, jam jotja” etj., etj. Natyrshëm shkruan se dëshiron shumë të jetojë, e po aq natyrshëm shkruan se e di që ditët i ka të numëruara. Jeta e saj e shkurtër zhvillohet në një hapësirë të ngushtë: Cërrik, Elbasan, Tiranë, hekurudha që përshkon këtë zonë, stacionet e mërzitshme të Rrogozhinës e të Durrësit, ardhja në Tiranë për analiza ose shtrim në spital, kthimi prapë, ardhja përsëri…
Dhe jo vetëm kaq. Shkrimtari i frymëzuar nga kjo vepër do të botojë disa vite më pas një roman të tij “E penguara-rekuiem për Linda B” një vepër për të gjitha ato vajza që përjetuan dhunën e diktaturës. Historia e Drita Çomos do të ishte frymëzim dhe për shumë autorë të tjerë shqiptarë që do t’i kushtojnë kësaj vajze shumë prej krijimeve të tyre.
Libri “Dritë që vjen nga humnera” do të botohej katër herë me radhë në Shqipëri dhe do përkthehej në disa gjuhë të botës. Krahasimi që i ka bërë shtypi i huaj me Anna Frankun është me të vërtet i gjetur. Anna Frank ishte viktimë e Holokaustit, por në të vërtetë Drita ishte një viktimë tjetër e komunizmit që për njerëz të ndjeshëm si ajo, ishte një nga holokauestet më të egra të historisë njerëzore. (konica.al)