SA MUND TË REZISTOJMË PA NGRËNË? Pa ushqim, por duke pirë rregullisht ujë, mund të rezistohet nga një deri në dy muaj. E gjitha varet shumë edhe nga aktiviteti fizik që kryhet. Shumë asketë, për shembull, rezistojnë më gjatë pasi qëndrojnë pa lëvizur për ditë të tëra.
SA MUND T’I REZISTOJMË TË FTOHTIT? Temperatura optimale e trupit është diçka më pak se 37 gradë celsius. Nën 35 gradë, trupi nis të vuajë hipoterminë, një gjendje që bëhet vdekjeprurëse kur organizmi ynë prek 24 gradët. Kjo vlerë temperature mund të arrihet nëse, për shembull, biem në det dhe temperatura e ujit është nën 10 gradë.
SA MUND T’I REZISTOJMË ZHURMËS? Vlera që konsiderohet kritike për të mos dëmtuar dëgjimin është 90 decibel, ajo e dhimbjes diku rreth 120 decibel. Tinguj në vlera 185-200 decibel mund edhe ta vrasin njeriun. Në këtë intensitet zhurme i afrohemi shumë një avioni në ngjitje.
SA MUND TË REZISTOJMË PA SHKUAR NË BANJË? Varet nga ushqimi, fibrat e marra me ushqimin, stili i jetës, aktiviteti fizik. Sipas ekspertëve, një aktivitet është i rregullt kur vërtitet tek 3-4 herë në javë. Në raste ekstreme, si për astronautët që kanë një dietë pa fibra, mund të shkohet edhe një herë në muaj.
SA MUND T’I REZISTOJMË TË NXEHTIT? Nëse temperatura e trupit i kalon 42 gradë celsius, organizmi ynë rrezikon hiperterminë (gjendje ethesh dhe dëme në sistemin nervor). Ndodh kur temperatura e mjedisit arrin 60 gradë, dhe lagështia është shumë e lartë, gjë që nuk lejon të nxjerrim përmes djersës nxehtësinë e tepërt.
SA MUND T’I REZISTOJMË LARTËSISË? Që në lartësitë rreth 4500 metra, trupi i njeriut është në rrezik, sepse oksigjeni nis të jetë i pamjaftueshëm. Duke u ngjitur edhe më shumë mbërrihet në atë që quhet Zona e Vdekjes (afro 8000 metra), ku vetëm fizikë të stërvitur, dhe shpesh të pajisur me bombula, mund të mbijetojnë për periudha të shkurtra.
SA MUND TË REZISTOJMË PA OKSIGJEN? Mungesa e oksigjenit shkakton vdekjen në 3-4 minuta. Qelizat e para që vdesin janë ato të trurit. Në disa raste, si për shembull në rastet e hipotermisë, trupi e ul shumë metabolizmin dhe mund të rezistojë edhe pak minuta më shumë.
SA MUND T’I REZISTOJMË SHPEJTËSISË? Njeriu arrin të durojë një nxitim pozitiv prej 5 G (domethënë pesë herë më shumë se sa nxitimi i gravitetit) pa pësuar dëme, por vetëm për pak sekonda. Me rritjen e g dhe të kohës, gjaku zbret drejt këmbëve dhe truri mbetet pa gjak dhe pa oksigjen.
SA MUND TË REZISTOJMË PA GJUMË? Sipas studiuesve, mungesa e gjumit komprometon mirëqenien tonë, si dhe dëmton punën dhe marrëdhëniet ndërpersonale e mbi të gjitha funksionimin e trurit. Nëse është e zgjatur, shkakton dëme të forta psikike dhe pas dhjetë ditësh, mund të shkaktojë vdekjen.
SA MUND TË REZISTOJMË PA UJË? Mungesa e ujit shkakton dehidratim, një gjendje që rezulton fatale për organizmin pas afro 10 ditësh. Pa ujë, gjaku bëhet më i dendur dhe komprometohen kështu aktiviteti kardiak, ai i veshkave si dhe shumë organeve themelorë për jetën