Omer XHAFERI
Shkup, 17 maj – Avokatit i Popullit në Maqedoni pavarësisht se disponon me njërën prej kornizave më të mirëfillta ligjore krahasuar me institucionet e njëjta në rajon, edhe më tej përballet me pengesa dhe barriera në drejtim të zbatimit të dispozitave ligjore që i gëzon. Organizatat joqeveritare, Komitetit i Helsinkit dhe “Infoqendra”, të martën publikuan një raport të titulluar “Ombudsmani- në mes mandatit dhe kapaciteteve”, ku sipas konkluzave të përmendura në këtë raport, thuhet se ekziston një dallim në mes vullnetit normativ të shtetit dhe atij politik. Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, thotë se institucioni të cilin ai e drejton viteve të fundit ballafaqohet me kriza të ndryshme, ku më e theksuar është mungesa e resurseve njerëzore dhe gjendja financiare. “Deri sa neve nuk na mundësohen kapacitet të forta kadrovike dhe mjete të mjaftueshme financiare, ne edhe më tutje do të kemi probleme serioze gjatë shqyrtimit të parashtresave dhe ankesave të shumta që i pranojmë brenda vitit. Misioni jonë është sundimi i drejtë i ligjit. Vlerësoj se monitorimi i mirëfilltë i institucionit të cilin unë e drejtoj, do të ndikojë në detektimin e dobësive të sistemit dhe mënyrën e funksionimit të atij sistemit, me të vetmin qëllim mënjanimin e lëshimeve dhe përmirësimin e punës tonë. Besoj se nëpërmjet këtyre hulumtimeve, më së miri do të dëshmohet kapaciteti jonë si institucion në drejtim të tejkalimit të sfidave me të cilat për çdo ditë përballemi. Përkundër asaj se ne e gëzojmë një normë ligjore të cilën do ta na e kishin lakmi edhe shtetet e rajonit, ajo fatkeqësisht nuk implementohet në praktikë”, tha Memeti. Avokati i Popullit poashtu shton se miratimit i ligjeve paraqet një procedurë të lehtë për t’u respektuar, megjithatë sfidat kryesore, sipas tij, vijnë atëherë kur duhet futur në praktikë. Peripecitë e shumta me të cilët viteve të fundit ballafaqohet zyra e Ombusdmanit, vërtetohen edhe në të dhënat e raportit, ku thuhet se brenda pesë viteve të kaluara (2011-2016) në këtë institucion nuk është pranuar asnjë punëtor i ri, ndërkaq numri i atyre që janë larguar shkon deri në 17 persona. Përforcimin e kapaciteteve kadrovike, siç theksohet në këtë raport, zyra e Avokatit të Popullit gjatë periudhës së kaluar e ka mbuluar përmes donacioneve nga organizatat ndërkombëtare. Njëkohësisht, me buxhetin shtetëror për vitin 2017, ky institucion disponon me më pak mjete financiare për dallim nga vitit 2016. “Ndryshimet e fundit ligjore, të cilat hynë në fuqi në mars të këtij viti seriozisht e kanë zgjeruar mandatin e Avokatit të Popullit, megjithatë jo edhe pavarësinë e tij financiare. Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur shkalla e pagesës së rrogave për të punësuarit nga ana e shtetit është zvogëluar. Me këto hapa, pushteti e ka vërtetuar se nuk ka synuar mbështetjen dhe nxitjen efektive të zbatimit të rritjes së kompetencave ligjore të institucionit Avokat i Popullit”, tha Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit. Buxheti i Avokatit të Popullit, siç thuhet në raport, në të ardhmen duhet të jetë i pavarur dhe dukshëm më i lartë. Gradualisht, me këto ndryshime mendohet se duhet të punësohen edhe persona të ri të cilët do të kenë kapacitet më të lartë profesional.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara