Laura PAPRANIKU
Shkup, 16 qershor – Për vite të tëra në Maqedoni ka mbetur e pa zgjidhur çështja e teksteve shkollore të muzikës për nxënësit shqiptarë, si në nivelin e shkollave fillore ashtu edhe në arsimin e mesëm. Në to jo vetëm që nuk ka fare materiale nga muzika dhe kultura shqiptare, sepse gjithçka është ekskluzivitet i maqedonasve, por janë të shoqëruar nga fillimi deri në fund me paradokse të ndryshme, me tekste këngësh të përkthyera tekstualisht dhe vijë melodike që nuk korrespondon aspak ato tekste. E thënë me fjalët e mësimdhënësve, “problemi me librat e muzikës është për mos me i hapur fare ato libra, është mjerim”, sikurse shprehet Rufki Loku, arsimtar në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Shkup. Ushtrimet, tekstet e këngëve, tregon ai, të gjitha janë në gjuhën maqedonase dhe poshtë atyre teksteve qëndrojnë përkthimet në gjuhën shqipe. “Një tekst kënge, për shembull, thotë: Nëna shkon te uji, e kështu me radhë. Mirëpo nota muzikore nuk janë në harmoni me tekstin e këngës në gjuhën shqipe. Në maqedonisht korrespondojnë teksti me muzikën, por jo edhe kur teksti është në gjuhën shqipe. Prandaj, ose duhet ta këndojmë këngën maqedonisht ose të mos e këndojmë fare”, shprehet ai. Mësimdhënësit shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe Loku, mes opsioneve për të kënduar këngën maqedonisht apo për të mos e kënduar fare normal që zgjedhin këtë të fundit. (Më gjërësisht mund të lexoni në numrin e nesërm të gazetës KOHA)