Futbollisti më i paguar në botë nuk është as Leo Messi, as Cristiano Ronaldo, por “Pocho” Lavezzi. Sulmuesi argjentinas, ish-lojtar i Napoli-t dhe PSG-së, në shkurt është transferuar te skuadra Hebei China Fortune dhe natyrisht kjo zgjedhje nuk është diktuar nga ambicia sportive. Në Kinë Lavezzi do të përfitojë 53,2 milionë euro në dy vite. “Pocho” ka një kontratë prej 2,3 milionë eurosh në muaj plus bonuse të ndryshme. Argjentinasi fiton më shumë se Cristiano Ronaldo, lojtari më i paguar në La Liga, me një rrogë vjetore prej 21 milionë eurosh, pas rinovimit të kontratës deri në 2020-ën. Ndërkohë, Messi po negocion rinovimin që mund të sjellë parakalimin ndaj rivalit portugez. Shifrat janë publikuar nga “Football Leaks” që, ndër të tjera, ka zbuluar edhe se PSG duhet t’i paguajë 400 mijë euro Thiago Silva-s në rast të fitores së Ligue 1, 300 mijë në rast të kualifikimit në Champions, 250 mijë për titullin europian dhe 350 mijë euro nëse merr pjesë në 60% të ndeshjeve zyrtare të ekipit.