Omer XHAFERI
Shkup, 2 gusht – Zbatimi apo përdorimi i Masave të posaçme hetuese(MPH), si instrument ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Maqedoni gjatë vitit të kaluar është shtuar për 75 për qind më tepër se vitin paraprak. Ky konstatim së fundmi është përfshirë në raportin e punës së Prokurorisë Publike, e cila thotë se rritja drastike e zbatimit të MPH në krahasim me vitin 2015, është si rezultat i përqendrimi të prokurorisë në luftën kundër grupeve kriminale, të cilët përbëhen nga një numër i madh i personave, shkruan gazeta KOHA. Në raportin e Prokurorisë sa i përket zbulimit të kriminelëve përmes MPH, thuhet se rritja e përdorimit të këtyre masave është ndikuar nga kriza e emigrantëve në vendin tonë, ku ende zbatohen masat si dhe shtimi i veprave penale që lidhen me trafikimin e emigrantëve. “Lloji i veprave penale të cilët kanë shërbyer si bazë për zbatimi e Masave të Posaçme Hetuese, tregon qartë se Prokuroria Publike gjatë vitit 2016 me sukses ka arritur të ballafaqohet me sfidat në luftën kundër krimit të organizuar i cili kryesisht është i lidhur me shitblerjen e lëndëve narkotike, veprat kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare ku përfshihen trafikimi i emigrantëve, keqpërdorimi i regjimit pa viza, pastaj janë përfshirë edhe vepra kundër shtetit në të cilët hynë pjesëmarrja në policinë, luftërat e huaja apo formacione paraushtarake, gjegjësisht vepra penale që burojnë nga keqpërdorimi pozitës zyrtare në pjesë e korrupsionit”, thuhet në raportin e Prokurorisë Publike.
Duke bërë krahasimin me vitin 2015, ku veprat penale më të shpeshta ndaj të cilëve janë zbatuar MPH, kanë qenë krimi i organizuar dhe vrasjet, sipas raportit të punës të Prokurorisë Publike në vitin 2016 janë paraqitur edhe vepra të reja penale të cilët janë hetuar përmes MPH, siç janë blerja e votave gjatë procesit zgjedhor, gjegjësisht dëmtimit dhe hyrja ilegale në sistemet kompjuterike. Në nivel republikan duke ju referuar të dhënave në raportin e Prokurorisë, thuhet se gjatë vitit 2016, MPH janë zbatuar në 100 raste kundër 347 personave me identitet të vërtetuar dhe 13 personave me identitet të pavërtetuar edhe atë kundër 454 lëndëve penale. Ndërkohë, sa për ilustrim në vitin 2015, MPH janë shfrytëzuar në 57 raste kundër 328 personave me identitet të vërtetuar dhe 107 personave me identitet të pavërtetuar.
“Numri i procedurave që janë hapur në bazë të dëshmive të mbledhura nga MPH është 5 akuza të ngritura, me çka janë arritur 14 marrëveshje mes prokurorit publik dhe të akuzuarve, pastaj janë miratuar 24 urdhëresa për realizimin e hetimeve. Njëkohësisht janë iniciuar katër procedura të shkurta dhe janë miratuar 7 aktgjykime. Të gjitha këto të dhënave e dëshmojnë qasjen serioze të institucionit tonë gjatë zbatimi të Masave të Posaçme Hetuese, me të cilët preken të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe lufta efikase në ndjekjen e krimit të organizuar”, theksohen në raportin e Prokurorisë Publike, ku mes tjerash nënvizohet se MPH vazhdojnë të zbatohen ndaj një numri të konsiderueshëm të personave, ndërsa procedurat para hetimore janë në fuqi për një pjesë tjetër të personave.
LLOJI I ZBATIMIT TË MASAVE TË POSAÇME HETUESE
Të dhënat e përfshira në raportin e punës të Prokurorisë Publike, thonë se masa e posaçme hetuese të ndjekjes dhe incizimit të bisedave telefonike dhe komunikimeve tjera elektronike, në procedurë ligjore janë zbatuar në 29 raste kundër 183 personave me identitet të vërtetuar dhe 9 personave tjerë me identitet të pavërtetuar. Njëherit ky lloj i MPH, është praktikuar gjatë 74 veprave penale. Në vazhdim të sqarimi të llojit të Masave të Posaçme Hetuese, thuhet se masa e përcjelljes dhe incizimit të shtëpisë së mbyllur dhe hapësirës së rrethuar e cila, ose hapësirë afariste private, gjegjësisht veturës është zbatuar në katër raste, kundër 6 personave me identitet të vërtetuar. “Masa e përcjelljes sekrete dhe incizimit të personave dhe lëndëve me pajisje teknike jashtë shtëpisë dhe hapësirës afariste është zbatuar në 23 raste, kundër 133 personave. Sa i përket masës së qasjes sekrete dhe kërkimeve në sistemin kompjuterik gjatë vitit 2016 nuk është zbatuar në asnjë rast. Ndërkaq, masa e qasjes në realizimin e bisedave telefonik dhe komunikimeve tjera elektronike brenda vitit të kaluar është zbatuar në 37 raste, kundër 40 personave me identitet të vërtetuar dhe 319 lëndëve tjera penale”, thuhet raportin e Prokurorisë Publike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.