Edhe dashuria e përjetshme mund të marrë fund. Ky është rasti i një ikone të basketbollit amerikan dhe NBA-së si LeBron James, që mund të largohet nga Cleveland Cavaliers. Jo këtë sezon, por verën e 2018-ës, ai mund të ndryshojë jo vetëm skuadër por edhe Konferencë, për të debutuar në atë të Perëndimit. Mediat amerikane konfirmojnë se destinacioni i ardhshëm i “mbretit James” do të jetë Los Anxhelosi, pa specifikuar se cila nga dy skuadrat e këtij qyteti do të marrë LeBron: Lakers apo Clippers. LaBron është gati të shfrytëzojë verën e ardhshme opsionin e lojtarit të lirë (free agent) që ka në kontratën e tij, për të shkuar në një ekip tjetër.
Sipas mediave amerikane, James ka vendosur që të luajë në Los Anxhelos, me një nga dy ekipet e këtij qyteti, për të gjetur një motivim të ri dhe për të synuar titullin kampion në NBA. Magic Johnson është duke duke punuar për të ndërtuar një skuadër të madhe me Lakers, për t’i rikthyer ata në majat e kampionatit. Sezoni i ardhshëm do të jetë ai i rilindjes për Lakers dhe pas një viti LeBron James do të ishte “Qershia mbi tortë”. Por edhe Clippers e trajnerit Doc Rivers janë një opsion i mirë, një skuadër që po synon të ketë një stadium të ri dhe James do të ishte përforcimi i duhur për të çuar këtë ekip drejt titullit kampion. Gjithsesi, Lakers apo Clippers është një enigmë që do të zgjidhet pas një viti, por Hollywood duket se është një siguri për të ardhmen e LeBron.