Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 prill – Papunësia në Maqedoni ulet dy herë më shpejtë sesa hapen vende të reja të punës. Sipas anketës së Entit të statistikës, në vitin e kaluar është ulur papunësia për 30 mijë persona, ndërsa në të njëjtën kohë numri i të punësuarve është rritur për afër 15 mijë persona, shkruan gazeta KOHA. Punësimet në administratë dhe në fabrikat e investitorëve të huaj, legalizimi i bizneseve ilegale si dhe shpërngulja e madhe e popullatës së re jashtë shtetit, vlerësohet të jenë shkaqet kryesore të dy proceseve kundërthënëse, ulja më e shpejtë e papunësisë se sa hapja e vendeve të reja të punës. Ekonomistët thonë se ulja e papunësisë i detyrohet masave qeveritare për punësimin e të papunëve, subvencionimin nga pagesa e kontributeve si masë e politikave aktive për punësim për të ulur shkallën e papunësisë, legalizimin e bizneseve informale si dhe hapjen e mijëra të vendeve të punës nga ana e investitorëve të huaj. Gjithashtu, fuqia punëtore angazhohet në mënyrë të përkohshme përmes punës sezonale ose në mënyrë të përhershme në tregun evropian të punës si profesionist të lëmenjve të ndryshëm, që gjithashtu ka zvogëluar numrin e të papunëve në Maqedoni.
“Për rritjen e numrit të të punësuarve kanë ndikuar edhe investimet e huaja, ndërsa për uljen e papunësisë ndikim ka edhe shpërngulja e popullatës së re që si trend në 15 vitet e fundit është brengosës, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në shtetet e rajonit. Gjithashtu, ka mjaft të rinj të papunë që mbeten në Maqedoni dhe marrin nga 4 mijë euro nga shteti, me qëllim që të hapin biznes të ri”, thotë për KOHA, analisti ekonomik Ljupço Zikov.
Një nga faktorët që kanë ndikim në gjendjen e uljes së papunësisë, është edhe ikja e madhe e fuqisë së re punëtore që në vend se në Maqedoni, do të angazhohet për punë jashtë shtetit.
“Vlerësoj se derdhja e popullatës së aftë për punë ka ndikim në gjendjen e përgjithshme të tregut të punës, e me këtë edhe ndaj shkallës së popullatës së aftë për punë që është bazë për përllogaritjen e punësimit dhe papunësisë. Gjegjësisht, nëse ulet shkalla e popullatës së aftë për punë, atëherë do të ulet edhe shkalla e përllogaritjes për vlerat e papunësisë dhe punësimit“, vlerëson profesori universitar, Vanço Uzunov.
Në ndërkohë, vlerësohet se për çdo vjet me dhjetëra mijë qytetarë e lëshojnë Maqedoninë për të punuar jashtë shtetit. Në rast se ato do të qëndronin në Maqedoni, me siguri se shumica e tyre do të ishin të papunë andaj edhe shkalla e papunësisë nuk do të ulej dukshëm. Thënë ndryshe, ikja e një kontigjenti të madh të fuqisë më produktive të re të punës, gjithashtu ka ulur nivelin e papunësisë në shtet. Këtë e tregojnë edhe të dhënat e përfaqësuesve të përfaqësive diplomatike në Maqedoni. Vetëm vitin e kaluar, në Ambasadën gjermane në Shkup janë miratuar 2638 viza pune për qytetarët e Maqedonisë. Ato kanë angazhim të menjëhershëm në tregun gjerman të punë për shkak se gjatë parashtrimit të vizës, kërkuesi i punës duhet të ketë të siguruar pajtueshmëri nga Agjencia Gjermane e punës. Nga ana tjetër edhe regjistrimi masovik i të rinjve nëpër fakultete si dhe punësimet në administratën shtetërore, gjithashtu ndikojnë në uljen e papunësisë dhe rritjen e numrit të punësuarve. Në dhjetë vite e fundit është dyfishuar numri i studentëve në Maqedoni me hapjen gati në çdo qytet të ndonjë fakulteti si të universiteteve private ashtu edhe shtetërore. Studentët e këtyre fakulteteve nuk bëjnë pjesë në shkallën e papunësisë, andaj edhe më mijëra studentë vlerësohet se do të ishin në listën e të papunëve, në rast se nuk do të regjistroheshin të vijojnë arsimin e lartë. Ndryshe, ekonomistët thonë se edhe me shkallët e ulëta të rritjes ekonomike në Maqedoni prej 2-3 për qind si dhe trendin e mbijetesës së biznesit vendor në vend të cikleve të reja investuese, që nënkuptojnë edhe hapjen e kapaciteteve të reja prodhuese, vështirë se mund të presim hapjen më të madhe të vendeve të punës nga ana e biznesit vendor.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara