Driton ZENKU
Gostivar, 11 maj – Biseda me celularë e drejtuesve të automjeteve, ndërkohë që janë duke vozitur, po bëhet një fenomen shqetësues për sigurinë dhe qarkullimin në komunikacion. Pakujdesia në rastet e tilla, shpeshherë bëhet shkak i fatkeqësive në trafik, shkruan gazeta KOHA. Nga policia e Gostivarit shprehen të vetëdijshëm për këtë dukuri, duke shtuar se policia e komunikacionit po ndjek me kujdes drejtuesit e automjeteve që nuk përmbushin kriterin ligjor. Nga atje, thonë se në rajonin e Gostivarit edhe këtë vit kjo dukuri është mjaft e pranishme. Se ky fenomen vazhdon të paraqes shqetësim, flasin edhe statistikat në Policinë e Gostivarit. Nga fillimi i vitit dhe deri më tani, në rajonin e Gostivarit janë shqiptuar 17 fletëpagesa gjobash për drejtuesit e automjeteve që u hasën duke drejtuar automjetet dhe duke biseduar në celularë. Drejtuesit e automjeteve kanë pasur dy alternativa, të paguajnë gjobë në vlerë prej 45 euro ose t’u regjistrohen 25 pikë negative në librezën e vozitjes. “Pavetëdija dhe papërgjegjësia e disa drejtuesve të automjeteve të cilët derisa janë duke drejtuar automjetet flasin në telefona celularë, bie ndesh me ligjin për siguri në komunikacion dhe rrugë”, thotë zëdhënësi i policisë, Marjan Josifoski.
Eksperti i trafikut, Agim Mustafi, thotë për KOHA se përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së veturës është faktorë kontribuues në shkaktimin e aksidenteve në komunikacion. ”Përdorimi i telefonave mobil gjatë ngasjes mund të jetë faktorë apo në raste të tjera edhe si faktorë kontribuues në shkaktimin e aksidenteve në komunikacion, për shkak se përdorimi i telefonit mobil në rast të paraqitjes së rrezikut drejtpërdrejt ngadalëson kohën e reagimit dhe marrjen e veprimeve të duhura. Përdorim i telefonit gjatë vozitjes përveç që e rrezikon vetë jetën e shoferit”, shton Mustafai.
Sipas tij, një moment i tillë gjatë vozitjes rrezikon edhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion. “Prania e celularit gjersa je pas timonit, është njëra prej pengesave kryesore në komunikacion në krejt botën dhe jo vetëm te na. Ndonëse e ka lehtësuar jetën edhe nëse posedon një celular është si me pas një zyre të vogël me veti por në komunikacion jam i sigurt që nuk është e preferueshëm”, shton ai, duke shtuar që përdorimi i celularit gjatë drejtimit të automjetit është një rrezik publik. Me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Gostivarit apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion. (koha.mk)