Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Polonisë në vend Jacek Mulltanovski. Siç kumton Kabineti i kryetarit të Kuvendit, ambasadori Mulltanovski ka theksuar se Polonia plotësisht e mbështet qeverinë e re në Republikën e Maqedonisë, duke shfaqur shpresë se ngjarjet e fundit do të sjellin deri në stabilizim të shpejtë të vendit dhe se situata e re në të cilën ndodhemi do të kontribuojë në zbatimin e të gjithë reformave të domosdoshme të cilat do ta afrojnë Republikën e Maqedonisë në BE dhe NATO.
Kryetari Xhaferi është falënderuar për mbështetjen dhe urimet, duke theksuar se përpjekjet e Republikës së Polonisë për arritjen e qëllimit tonë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO janë të mirëseardhura për Republikën e Maqedonisë. Siç qëndron në kumtesë, njëkohësisht Xhaferi e informoi ambasadorin për aktivitetet vijuese të Kuvendit, duke theksuar se Kuvendi punon me funksionalitet të plotë, me ç’rast janë formuar trupat e punës dhe po punohet në formimin e delegacioneve dhe grupeve për bashkëpunim bilateral.
Ai, gjithashtu, ka theksuar se Kuvendi është i hapur dhe transparent ndaj shoqërisë civile në të gjithë aspektet dhe ajo do të përmbushet përmes mundësisë për ndjekje të seancave plenare të Kuvendit nga ana e qytetarëve dhe përmes mbështetjes së iniciativave qytetare të cilat do të mund t’i shfrytëzojnë hapësirat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Ambasadori Mulltanovski ka theksuar se zgjerimi i BE-së është element i rëndësishëm për stabilizim të Ballkanit, për atë arsye marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe komunikimi i drejtpërdrejt janë të domosdoshëm për krijim të energjisë pozitive.
Gjithashtu, kryetari Xhaferi theksoi se fokusi i Kuvendit është ngritja e rejtingut si shtëpi ligjvënëse në shërbim të qytetarëve. Në fund të takimit, bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi bilateral midis të dy vendeve do të vazhdojë të thellohet, thuhet në kumtesën nga Kabineti i Xhaferit.