Nëse Serbia të detyrohet të zgjedhë në mes të lidhjeve më të ngushta me Rusinë dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ajo do të zgjedhë opsionin e dytë. Kështu tha kryeministrja serbe, Ana Brnabic, në një intervistë për agjencinë amerikane të lajmeve Bloomberg.
Ajo tha se do të donte si kryeministre të vazhdojë rrugën që filloi paraardhësi i saj, tani kryetar i Serbisë Aleksandar Vucic për përgatitjet e vendit për anëtarësim në BE deri në vitin 2020, kur mandati i saj përfundon. Ndryshe, kryeministrja e re serbe u mandatua ditë më parë, pasi kryeministri i deritashëm serb, Vucic, u emërua president i shtetit serb.