Në vitin 1800 të haje bukë të zezë do të thoshte të ishe një person i varfër. Në tavolinat e fisnikëve të borgjezisë gjendej vetëm buka e bardhë, pa krunde. Fshatarët përdornin miellin me krunde për efekte kursimi dhe jo sepse e kuptonin vlerën e fibrave. Krundet, në fakt përmbajnë fibra shumë të mira për shëndetin e njeriut. Por çfarë janë dhe përse shërbejnë fibrat? Fibrat janë pjesë të vegjetalëve të patretshme nga aparati tretës i njeriut. Gjenden në drithëra, bishtajore, në fruta dhe në zarzavate. Funksioni i tyre është eliminimi nga zorrët i qelizave të vdekura, baktereve, viruseve duke ushtruar një veprim të rëndësishëm profilaksie ndaj tumorit të zorrës së trashë. Jo vetëm kaq: pikërisht falë patretshmërisë së tyre, fibrat përbëjnë edhe një armë të fortë ngopjeje për të gjithë ata persona që mbajnë dietë si dhe ruajnë normat e glicemisë tek diabetikët apo normën e kolesterolit. Për këtë arsye pra, vlera e ushqimeve integrale është shumë e madhe dhe konsumimi i krundeve është shumë me vlerë për organizmin e njeriut, duke i shërbyer veçanërisht shëndetit të zorrëve.