Shkup 8 mars – Dy golat ndaj Hajdukut, ku skuadra e Osijekut arriti fitore prej 2:1, ka bërë që sulmuesi shqiptar Muzafer Ejupi të zgjidhet futbollisti më i mirë i javës së 23 në Ligën e parë kroate. Kujtojmë, Ejupi i shënoi dy gola skuadrës nga Spliti, në derbin e javës, duke arritur kështu në kuotën e 11-të golave, që aktualisht atë e bëjnë golashënuesin më të mirë të kampionatit kroat. Ndryshe, në ekipin e javës u përfshi edhe reprezentuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Stefan Ristovski, i cili ishte njëri prej futbollistëve më të mirë të Rjekës, duke asistuar në dy herë në fitoren prej 2:1 ndaj Lokomotivës nga Zagrebi.
Ndryshe, mediat në Kroaci në të madhe po shkruajnë për paraqitjen e Ejupit këtë sezon, derisa pyesin se si është e mundur që ai nuk po luan për përfaqësuesen e Maqedonisë. “Për arsye të panjohura Ejupi nuk po luan për Maqedoninë. Për Osijekun i tund rrjetat kundërshtare, por njëkohësisht arrin të kthehet në mbrojtje dhe të ndihmon skuadrën pas ndërprerjeve. Ai jashtëzakonisht është i fortë në duele, i fortë në kërcim, din të vendoset, të shënojë dhe të asistojë. Kur është topi te ai, vështirë e ke t’ia marrësh, sepse fizikisht është i fortë dhe vendoset mirë. Dhe kjo nuk është rastësi, atë e përsërit në secilën ndeshje”, shkruajnë mediat në Kroaci.
Gjithashtu mediat kroate kujtojnë se për një shumë prej 400 mijë eurove, vitin e kaluar Ejupi nga Slaven Belupo u transferua te skuadra e Osijekut duke dëshmuar menjëherë se bëhet fjalë për një sulmues i përkryer. Ndërkaq mediat kroate zbulojnë edhe një tjetër detaj. Në fakt me dy golat e fundit, Ejupi është futbollisti i parë që i ka shënuar më shumë se dhjetë gola për Osijekun. I fundit që ka arritur të shënojë dhjetë gola, ka qenë Stjepan Jukiq në sezonin 2004/05 dhe prej atëherë askush nuk ka arritur të kalojë kufirin e dhjetë golave. (koha.mk)