Në Maqedoni definohet korniza ligjore për mbështetjen e sipërmarrësisë sociale në vend, dhe kështu rishikimi i gjendjeve të kësaj teme është kyçe për zhvillimin e mëtutjeshëm, u theksua në takimin e sotëm të organizuar nga shoqata Konekt, si pjesë e projektit “Sipërmarrësi sociale: mësim nga praktika dhe promovimi”, i financuar nga Ministria e Ekonomisë.
Një nga sfidat më të mëdha në rajon, siç është theksuar në kumtesën e shoqatës Konekt, është mungesa e investimeve dhe mospasja e instrumenteve adekuate financiare pa të cilat ndërmarrjet sociale kanë vështirësi ta mbajnë dhe më tej ta zhvillojnë biznesin e tyre.
Në takim janë ndarë edhe rezultatet nga hulumtimi i parë gjithëpërfshirës për ekosistemet për zhvillim të ndërmarrjeve sociale në shtatë vende të Ballkanit Perëndimor, në të cilin me ekspertizën e tyre hulumtuese ka marrë pjesë Konekt. Hulumtimi është zbatuar nga HeSsT për nevojat e Bankës evropiane për rindërtim dhe zhvillim (BERZH), ndërsa i sponsorizuar nga Fondi i biznesit nga Tajvani. Hulumtimi tregon se ekziston nevojë të vazhdojë me thellimin e iniciativave për ngritjen e vetëdijes dhe ndërtimit të sektorit.
Në kumtesë është theksuar se është i nevojshëm forcim i kapaciteteve, mbështetje gjatë formimit të ndërmarrjeve të reja sociale dhe mësim nga modelet me praktika më të mira. Por, siç shtohet, nevojë më urgjente është që të intensifikohen përpjekjet që të sigurohen biznes shërbime të orientuara dhe këshillëdhënëse, si dhe mënyra të përshtatura të financimit që të vërtetohen dhe të përgatiten ndërmarrjet sociale për pjesëmarrje në treg. Me këtë do të mundësohet që shumë ndërmarrje të përgatiten për investime dhe të mbahen më shumë modele të suksesshme, të cilat qartë do ta dëshmojnë funksionimin e këtij sektori.
Konekt e promovon dhe e nxit dhurimin personal dhe përgjegjësinë shoqërore në drejtim të zhvillimit afatgjatë të Maqedonisë dhe të rajonit. Organizata angazhohet për promovimin e modeleve që bartin përfitime ekonomike dhe sociale për shoqërinë. Në këtë drejtim fokusohet në ndërtimin e partneriteteve midis kompanive përgjegjëse shoqërore dhe ndërmarrjet sociale.