Patriarku Irinej dhe Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe nuk do të lejojë që delegacioni zyrtar i Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev ta vizitojë manastirin “Prohor Pçinjski” me rastin e shënimit të Ilindenit e cila është një nga festat më të mëdha në Republikën e Maqedonisë, shkruan sot gazeta serbe “Alo”.
“Patriarku Irinej është kundër. Derisa nuk rregullohet statusi i KOS-it dhe priftërinjve të saj në Maqedoni nuk ka biseda për mundësi që të lejohet se cilido qoftë delegacion nga Shkupi ta vizitojë manastirin në Serbi dhe atje t’i shënojë Kryengritjen e Ilindenit dhe Ditën e pavarësisë së Maqedonisë. Vetë patriarku Irinej dhe Patrikana disa herë kërkuan nga autoritetet në Maqedoni që të bëhet diçka lidhur me çështjen e priftërinjve serbë në Maqedoni, por çdoherë hasnin në mur nga institucionet shtetërore”, thotë një burim nga KOS-i për “Alo”.
Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq në deklaratë për gazetën thotë se çështja se nëse Maqedonisë do t’i lejohet kremtim në një manastir në territorin e Serbisë, varet vetëm nga KOS-i.”Alo” e transmeton edhe deklaratën e kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev të dhënë dje në Sarajevë se Serbia është mik i madh i Maqedonisë dhe se shpreson për avancim të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale. Zaev tha se ende nuk është marrë përgjigje nga autoritetet serbe për kërkesën që Qeverisë së Maqedonisë t’i lejohet kremtimi i festës së Ilindenit në manastirin “Prohor Pçinjski”, dhe se shpreson se do të merret leje, por edhe të mos ndodhë kjo Shkupi nuk do të hidhërohet.