Laura PAPRANIKU
Shkup, 14 qershor – E krahasuar me pjesëmarrjen prej mbi 32 për qind në nivelin arsimit fillor. Fëmijët shqiptarë vazhdojnë të mbeten ende shumë larg përfaqësimit të drejtë nëpër kopshte dhe çerdhe, shkruan gazeta KOHA. Edhe pse arsimi parashkollor është mjaft i rëndësishëm për socializmin e fëmijëve dhe është treguar shkencërisht që ka ndikim pozitiv në arritjet dhe suksesin e nxënësve në nivelin e ulët të arsimit fillor, jo të gjithë ata që regjistrohen në klasë të parë kanë pasur mundësinë të jenë edukuar paraprakisht nëpër kopshtet dhe çerdhet e fëmijëve të grup-moshave deri 6 vjet apo deri 5 vjet e gjysmë. Mos-përfshirja është problematike, sidomos në vendbanimet shqiptare të kryeqytetit, ku për një pjesë të madhe ka mungesë të kopshteve dhe çerdheve për fëmijët shqiptarë. Në përjashtim të Komunës së Çairit, në asnjë komunë tjetër të qytetit të Shkupit dhe rreth saj nuk ka kopshte apo grupe për fëmijët shqiptarë. Me këtë problem ballafaqohen edhe shqiptarët e Kumanovës, Likovës dhe komunave tjetra shqiptare në Maqedoni, ndërsa numri i madh i fëmijëve në grupet është një tjetër problem, i cili reflekton në shërbimet jo cilësore të çerdheve, e ndikuar gjithashtu nga mungesa e kushteve dhe profesionalizmit të edukatorëve.
Një studim i Qendrës për Krijimin e Politikave Arsimore (QKPA) pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ka rikonfirmuar tezën e ndikimit pozitiv që ka edukimi parashkollor në nxënien më të lehtë të dijeve në arsimin fillor. Por, sa i takon situatës në Maqedoni, sidomos në Shkup, Elizabeta Bajrami nga kjo Qendër, thotë se problemi i parë është numri i vogël i kopshteve dhe çerdheve me edukator shqiptarë dhe që nuk korrespondon aspak me numrin e fëmijëve shqiptarë të moshës parashkollore.
“Ka një disproporcion të theksuar sa i takon numrit të çerdheve dhe fëmijëve sipas gjuhës që ata flasin, çdo herë në disfavor të shqiptarëve”, pohon Bajramin, ndërsa thotë se jo më pak shqetësuese janë edhe probleme që lidhen me cilësinë e shërbimit, nivelin profesional, kushtet e punës apo edhe ndërgjegjësimin e prindërve për rolin që luajnë institucionet parashkollore në zhvillimin e fëmijëve të tyre. “Edukimi dhe arsimimi i hershëm i fëmijëve ndikon shumë në eksperiencat e mëvonshme të individit. Pra, mënyra se si i qasemi edukimit në vegjëli ka të bëjë shumë me atë se sa i suksesshëm do të jetë fëmija në moshën më të rritur. Ky është një model i ri teorik nga psikologjia, por që në asketin sociologjik mbështetën tezën se edukimi parashkollor është moment kyç në zhvillimin e fëmijëve”. Bajrami, mësimdhënëse e shkencave sociale në UNT, shpjegon se pavarësisht përshtypjeve të cilat krijohen për fëmijët e kopshteve se shkojnë atje për të luajtur, rëndësia e lojës nuk përfundon me kaq. Sepse, shpjegon më tej ajo, loja është forma më e mirë për ta qasur fëmijën drejt dijes, pra arrin të nxë dije përmes lojës. Krahas kushteve të çerdheve dhe rolit që kanë ata në suksesin e fëmijëve gjatë arsimit shkollo, hulumtimi ka pasur synim edhe hulumtimin e opinionit të prindërve që nuk i dërgojnë fëmijët nëpër kopshte.
“Një pjesë e madhe e prindërve mendojnë se duhet që fëmijët të dërgohen nëpër kopshtet, por ka edhe prej tyre që nuk e shohin këtë si diçka të rëndësishme. Mendojnë se fëmija shkon në kopsht thjeshtë për të ngjyrosur dhe vizatuar, pa ua ditur kopshteve vlerën që kanë, ndërsa ka edhe të tillë që i dërgojnë fëmijët në kopshte vetëm sepse nuk ka ku t’i mbajnë fëmijët gatë kohës që ata janë në punë. Pra, as këta të fundit nuk e vlerësojnë rëndësinë e edukimit parashkollor”. Arsyet e opinioneve jo pozitive, sipas Bajramit, të shumtën e rasteve shpjegohen përvojat negative që kanë personalisht prindërit ose fëmijët e tyre. Në shumë raste, thotë ajo, pasi fëmijët kanë vizituar tre – katër kopshte, refuzojnë të shkojnë përsëri në çerdhe. Prindërit, kuptohet ata që kanë se ku t’i mbajnë fëmijët e tyre, detyrohen t’i tërheqin fëmijët prej kopshteve pasi nuk ndjehen mirë atje.
Mungesa e vëmendjes së shtuar nëpër kopshte, është shpesh herë motivi që bën këta të fundit të mos ndjehen mirë në kopshtet apo ta kenë të vështirë socializmin. Mirëpo edhe për këtë, Bajrami e ka një shpjegim. “Numri i madh i fëmijëve nëpër grupe, ndonjëherë edhe përzierja e grup –moshave të ndryshme, bën që edukatorët mos jenë çdo herë në nivel të detyrës”, shprehet ajo, ndërsa thotë se kjo është edhe rezultat i mungesës së konsiderueshme të edukatorëve si dhe kushteve të punës. Janë pra marrëdhënie të kushtëzuara me njëra – tjetër, por që në instancë të fundit ndikon në zhvillimin psikologjik të fëmijëve dhe socializmin e tyre. Me kalimin e viteve, gjatë arsimin fillor ngushtohen edhe dallimet në arritjen e suksesit që tregojnë në nxënien e mësimeve fëmijët me dhe pa edukim parashkollor. Mirëpo, problemi, sipas Bajramit, qëndron te shkalla e vështirësive dhe sfidave të cilat janë më të shumta të nxënësit pa edukim parashkollor. Prandaj, që fëmijët të mos kenë barriera në arsimin fillor, sipas saj, është shumë e dobishme që fëmijët të dërgohen nëpër kopshte dhe çerdhe. Sakaq, për drejtuesit e këtyre institucioneve thotë se duhet të punojnë më shumë në rritjen e standardeve dhe profesionalizmin e edukatorëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara