Evis HALILI
Shkup, 16 mars – Vetëm pak kohë pas shfaqjes së Platformës së partive shqiptare dhe dështimit për formimin e Qeverisë, debati u zhvendos në dimensione të tjera, shkruan gazeta KOHA. Parti politike, akademikë, përfaqësues të klerit, e të tjerë u mobilizuan për hartimin e një manifesti, apo platforme maqedonase e cila do të formatonte kërkesat e maqedonaseve për të mbrojtur, siç thonë, shtetin, gjuhën, për të përcaktuar prioritetet e politikave të jashtme, kthimin e rasteve të Hagës për rigjykim, ndërprerjen e bisedimeve për emrin…, e të tjera. Të gjitha këto pika për momentin komentohen si pjesë e propozimeve që bëhen për hartimin e “platformës maqedonase”, si një kundërpërgjigje e asaj shqiptare. Por, edhe si një marrëzi e radhës që po shmang vëmendjen nga çështjet kryesore e formimin e qeverisë. Të tjerë, më shumë sesa si një ide që mund të jetësohet e perceptojnë si një formë shantazhi ndaj pjesës shqiptare.
Analisti Denko Malevski thotë se e ka “parandjerë” një kontrapërgjigje të tillë, që kur u shfaq kjo platformë me kërkesat e shqiptarëve. Përshtypja e tij e parë ishte se nuk do të sillte ndonjë kontribut për daljen nga kriza, por do të shkaktonte efekt negativ tek ana tjetër.
“Më erdhi keq që kur tentuam të gjejmë një zgjidhje për shtetin, të krijojmë një sistem politik me qeverisje të përgjegjshme, gjyqësor të pavarur, e të tjera pika që ishin pjesë e Raportit të Pribes. Me kërkesat e shqiptarëve që pasuan mendoja se është çështje kohe se kur do të shfaqen edhe të tjerët dhe jam druajtur se kur i gjithë ky angazhim për të krijuar një shtet demokratik do të kthehej në drejtim të kundërt, në formën e një konfrontimi ndërnacional”, thotë për KOHA, Malevski. Ai i quan Platformat “këndvështrime të demoduara”, ndërsa reagimin e pjesës maqedonase të çuditshëm.
“Të gjitha çështjet me të cilat jemi marrë duket se janë zhvendosur nga vëmendja dhe pjesë e debatit janë bërë tema krejtësisht të tjera, që në thelb është një nacionalizëm kundër një tjetër nacionalizmi. Dhe më e keqja në këtë situatë është se shumë politikanë, analistë, intelektualë po ndihen më komodë në këtë debat, sesa në atë tjetrin. U krijua një hapësirë për zhvendosjen e këtyre çështjeve kryesore dhe kam frikë se ky debat i tanishëm do të bëhet shndërrohet edhe në debatin kryesor. Atëherë do të duhet që të veprohet me shumë kujdes, për shkak se shoqëria jonë qëndron mbi bazën e atij pluraliteti multietnik dhe cenimi i këtyre marrëdhënieve mund të prishë edhe shtetin në përgjithësi dhe të çlirojë edhe shumë tendenca agresive nga brenda saj. Kemi përvojë për këtë rast dhe e dimë se çfarë s’duhet të bëjmë. Reagimi i pjesës maqedonase është shumë i çuditshëm, sikur të mos e kemi atë përvojë nga 2001, apo të kushtetutës së padrejtë të vitit 91 kundrejt shqiptarëve, e cila më pas u desh të ndryshohej në frymën e kohës ku jetojmë. Më çudit fakti sesi gjatë gjithë kësaj periudhe nuk evoluam në mendimet tona. Dëgjojmë të njëjtat argumente edhe tani, ashtu si në 2001, gjë që është e rrezikshme për vetë ne dhe Maqedoninë”, pohon Malevski. Nga ana tjetër, për Shpëtim Pollozhanin, këto kërkesa janë pjesë e lojës që po bëhet dhe formë shantazhi ndaj kërkesave të shqiptarëve.
“Të gjithë janë ngritur kundër asaj platforme, në fund edhe priftërinjtë dhe nëse do të heqim dorë nga kjo platformë, nuk do ta marrim veten edhe 20 vitet e ardhshme. Nuk duhet të heqim dorë edhe nëse arrin deri aty sa të mos bëhet qeveria. Këto qëndrime dhe reagime të palës maqedonase manifestojnë edhe karakterin e tyre hegjemonist, bizantin, të tipit që – ju mund të merrni jo më shumë sa ajo që ju japim ne. Kjo është një gjendje e tmerrshme shpirtërore për pjesën maqedonase, vazhdojnë të jetojnë me legjenda dhe do të thosha se vuajtjet e tyre sapo kanë nisur. Për momentin, ata po luajnë rolin e padronit, po luajnë me topin pa e hedhur në tokë. Por është fat që shqiptarët e gjetëm një gjuhë të përbashkët dhe do të ishte fatale nëse ata do të ndahen copa-copa. Pasi pjesa maqedonase, kur janë në pyetje shqiptarët shkojnë konsultohen, i kanë ato institutet e historisë, folklorit, akademitë, ndërsa këta tanët shkojnë e konsultohen me të ‘fortët e lagjes’. Jemi në një nismë të mbarë dhe nuk duhet të lëshohet asnjë milimetër pe”, shprehet për KOHA, Pollozhani.
Një prej partnerëve të koalicionit me VMRODPMNE, Partia Socialiste (PSM) muajin e kaluar bëri thirrje për bashkimin e popujve dhe hartimin e një platforme që do të shpëtojë vendin. Nismë kjo që u mbështet disa ditë më vonë nga akademikë të ASHAM, por edhe nga politikanë të tjerë, edhe indirekt nga vetë kreu i VMRO-DPMNE, Gruevski, që e quajti “hapjen e kutisë së Pandorës”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.