Evis HALILI
Shkup, 20 qershor – Dy prej konkurseve të Ministrisë së Kulturës vijojnë të mbeten të bllokuara. Ende nuk dihet se cilët do të jenë anëtarët e këtyre dy komisioneve për dhënien e çmimeve shtetërore – “23 Tetori” dhe “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin”, shkruan gazeta KOHA. Në Ministrinë e Kulturës nuk janë në dijeni se kur do të përfundojë ky proces dhe se shanset për ripërtëritjen e konkurseve të djegura janë të pakta. Po ashtu nuk dihet nëse shqyrtimi i emrave të anëtarëve të rinj të komisioneve do të aktivizojë edhe çështjen e anulimit të disa çmimeve dhe reduktimit të numrit të tyre në përgjithësi. Por, edhe për ato çmime që janë shpallur më vonë, si “23 Tetori” që ndahet prej më pak se dhjetë vitesh. Anulimi i konkurseve erdhi pas bllokimit të punës së Parlamentit, përkatësisht mosfunksionimi i Komisionit të zgjedhjeve dhe emërimeve që merret me emërimet e kryetarëve dhe 12 anëtarëve të këshillave për ndarjen e çmimeve shtetërore, të “23 Tetorit” dhe Mito Haxhi Vasiliev Jasmin”. Ky i parti duhej të shpallej në muajin prill, ndërsa çmimi “Mito Haxhi Vasiliev”, duhet të shpallet në muajin tetor.
“Ende nuk janë formuar dhe nuk e di se ç’po ndodh me Komisionin e zgjedhjeve dhe emërimeve. Se cilët do të jenë anëtarët e rinj dhe kryetarët e dy Këshillave nuk dihet, por edhe nga ne nuk është kërkuar që të propozojmë ndonjë emër. Besoj se konkursi për 23 Tetorin nuk do të shpallet më, ndërsa deri në shpalljen e konkursit tjetër këshilli duhet të jetë formuar”, thotë Zoran Kocevski, bashkëpunëtor në Njësinë e çmimeve shtetërore. Mandati i anëtarëve të komisioneve është dy vjet dhe përzgjedhja e emrave të rinj do të duhet të harmonizohet edhe me pritshmëritë e institucionit të kulturës, drejtuesit e rinj të së cilës kanë theksuar se këshillat dhe komisionet do të përbëhen nga emra të dëshmuar në sferat nga vijnë.
Ministria e Kulturës tashmë ka shpallur konkursin për çmimin “Shën Klimenti i Ohrit” në fillim të këtij muaji, ndërsa po shqyrtohen emrat fitues të konkursit “11 Tetori”, që u shpall në muajin prill. Në Njësinë e ndarjes së çmimeve shtetërore thonë se interesimi i institucioneve, shoqatave, apo edhe individëve për të propozuar kandidatura shqiptare që kanë dhënë kontribute në fusha të caktuara në këto konkurse është jashtëzakonisht i vogël. Çmimi “23 Tetori” që u dogj për këtë vit, por që ka gjasa dhe që të hiqet tërësisht nga lista e çmimeve shtetërore përkon me Ditën e Luftës revolucionare maqedonase dhe mbajtësit të saj i jep mirënjohje më të lartë për arritje në sferën e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimit të prioriteteve shtetërore, vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike. Shpërblimi është sa dhjetë paga mujore dhe maksimumi i akordimeve është pesë. ose është një prej atyre më të reja që akordohet prej dhjetë vitesh. Konkursi që është i hapur për konkurrim deri në fund të këtij muaji është “Shën Klimenti i Ohrit”, një prej çmimeve më të vjetra, që ndahet që prej vitit 1969. Për nga vetë simbolika është një prej çmimeve që mbahet pak ose nga aspak individë, shoqatë, e të tjera shqiptare. Ndërsa çmimi që pritet të shpallet është “Mito Haxhi Vasiliev Jasmin” për mirënjohje për arritje në sferën e publicistikës dhe gazetarisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara