Prezenca e OSBE në Shqipëri prezantoi ditë më parë disa gjetje interesante nga një sondazh me titull: “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tij për të ardhmen”. Ajo që bie në sy është se shqiptarët mendojnë se komunizmi ishte ide e mirë, por e zbatuar keq. Ndërkohë fotot e galerisë janë realizuar në vitin 1984 nga Ferdinando Scianna.
Ja disa përfundime të sondazhit:
– 62% e të anketuarve mendojnë se e shkuara komuniste është të paktën disi problematike, 35% mendojnë se trashëgimia e komunizmit në Shqipëri nuk është aspak problem.
-Hapja e dosjeve sekrete të Sigurimit të regjimit komunist në Shqipëri duket se nuk ngacmon interesin e shumicës, pasi vetëm 37% e të anketuarve u përgjigjën se janë të interesuar rreth kësaj çështjeje. Më shumë se gjysma e të anketuarve (55%) pohojnë se thjesht nuk kanë qenë kurrë të interesuar për dosjet dhe vazhdojnë të mos jenë të interesuar, ndërsa 8% pohojnë se kanë qenë të interesuar më parë, por nuk janë më.
– Shumica e të anketuarve besojnë se shumë politikanë aktualë kishin pozicione të rëndësishme gjatë regjimit të mëparshëm, dhe një shumicë e ngjashme e të anketuarve mbështet ekzistencën e një ligji për lustracionin. Rreth 73% e të anketuarve mbështesin hartimin dhe zbatimin e një ligji lustracioni në të ardhmen për të shkarkuar njerëzit e të anketuarve mendojnë se një numër i madh politikanësh aktualë në Shqipëri kishin pozicione të rëndësishme gjatë periudhës komuniste dhe për këtë arsye atyre duhet t’iu ndalohet shërbimi në një post publik.
– Qytetarët shqiptarë deklarojnë se, në përgjithësi, janë të informuar për të shkuarën komuniste. Personat që kishin më gjasa të deklaronin se ishin “disi të painformuar” përfshijnë gratë, të rinjtë (16-35 vjeç) dhe të anketuarit nga veriu.
– Shumica e të anketuarve (79% e numrit total) u përgjigjën me saktësi rreth vitit të vdekjes së Enver Hoxhës, i cili ishte viti 1985. Megjithatë, mes të anketuarve të moshës 16-35 vjeç, vetëm 62% ishin në gjendje ta identifikonin këtë datë, ndërsa një përqindje mjaft e lartë (21%) thanë se thjesht nuk e dinin.
– Në përgjithësi, informimi rreth të persekutuake duket i ulët dhe për pjesën më të madhe të personave të renditur në listë, një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve thjesht nuk dinin asgjë. Një pjesë e madhe e të anketuarve (73%) ishin në gjendje ta identifikonin saktësisht Pjetër Arbnorin si një person i ish i persekutuar. Gjithashtu, pjesa më e madhe e të anketuarve (54%) kanë dijeni se At Zef Pllumi ka qenë i persekutuar. Megjithatë, njohja e figurave të tjera të persekutuar është e pakët dhe vetëm 19% e të anketuarve e dinin se Sabihe Kasmati, e vetmja grua në listë, ishte persekutuar.
– Shqiptarët duken të ndarë në perceptimin e përgjithshëm për periudhën e komunizmit, por përgjigjja më e zakonshme është se komunizmi në vend ka qenë “ide e mirë, por e zbatuar keq”. Pothuajse gjysma e të anketuarve mendojnë se komunizmi në Shqipëri ka qenë “ide e mirë, por e zbatuar keq” dhe nuk ka ndonjë ndryshim mes grupmoshave në këtë opinion. 37% mendojnë se komunizmi ishte thjesht një “ide e keqe”, sërish me shumë pak ndryshime mes grupmoshave. Vetëm 10% pohuan se komunizmi ka qenë “ide e mirë, e zbatuar siç duhet”, por ka ndryshim mes grupmoshës mbi 55 vjeç, që janë sa dyfishi (13%) i personave të grupmoshës 16-35 vjeç (7%) që ndajnë të njëjtin mendim. Sipas rajoneve, rezultatet tregojnë se në rajonin qendror (Tiranë dhe Durrës), pjesa e të anketuarve që mendojnë se komunizmi në Shqipëri ishte thjesht “një ide e keqe” është pothuajse e barabartë me pjesën që mendon se ishte “ide e mirë, por e zbatuar keq ” Megjithatë, në rajonet e tjera, pjesa e atyre që deklarojnë se komunizmi ka qenë ‘ide e keqe’ është më e vogël, kurse përgjigja më e shpeshtë është se komunizmi kishte qenë ‘ide e mirë, por e zbatuar keq’. Përqindja më e lartë e njerëzve që deklarojnë se komunizmi në Shqipëri ishte ‘ide e mirë, e zbatua keq’ u evidentua në jug.
– Gjithashtu, të anketuarve iu kërkua të shpreheshin nëse ishin dakord me disa vlerësime që krahasojnë jetën në komunizëm me jetën sot. Në përgjithësi, të anketuarve iu duket se në komunizëm vendi ishte më i sigurt, arsimi më i mirë, kishte më shumë vende pune, më shumë siguri në punë, më shumë stabilitet politik, më pak korrupsion dhe më shumë barazi sa u përket standardeve të jetesës. Të anketuarit u ndanë pothuajse përgjysmë kur u pyetën nëse jeta kishte qenë më e rehatshme në komunizëm (49%) apo nëse kishte qenë më pak e rehatshme në atë periudhë (48%). Shumica e të anketuarve mendojnë se zhvillimi ekonomik ishte më i dobët në komunizëm dhe se periudha e komunizmit ishte përgjithësisht më e keqe sesa e sotshmja dhe se liria e shprehjes ishte më e vogël në komunizëm.