Shkup, 13 qershor – Këto ditë kur po bëhet ndarja e resorëve dhe priten emërimet nga partitë shqiptare, ndërsa mësohet se BDI-së do t’i takojë posti i sekretarit shtetëror në Ministrinë e Kulturës. Burime brenda partisë, në qarqet e artit, kulturës dhe ato intelektuale të krahut të BDI-së, kërkohet nga lideri Ali Ahmeti që të ndërmarrë diçka që në Ministrinë e Kulturës të ndalet diskriminimi në vazhdimësi i shqiptarëve, gjë që ka qenë evidente sidomos në 10 vitet e fundit. Për këtë arsye, emra të shquar nga sfera e kulturës shqiptare në vend, këto ditë e kanë takuar Ahmetin dhe kanë kërkuar prej tij që të emërohet një personalitet që do t’i dalë ballë avancimit të kulturës shqiptare. Konkretisht, nga këto qarqe i është propozuar emri i Besiana Mehmedit që të emërohet Sekretare Shtetërore, për të cilën konsiderojnë se është një personalitet i fuqishëm dhe me qëndrim intelektual, që vazhdimisht e ka shprehur për çështje të ndryshme të kulturës shqiptare dhe si një prej artistëve me përkrahje nga komuniteti artistik jo vetëm në Maqedoni, por edhe në mbarë hapësirat shqiptare. Kandidatura e saj, siç thotë njëri nga iniciatorët, mbështetet edhe për arsye se Besiana për një kohë ka qenë e angazhuar në komisionet e Ministrisë së Kulturës, ku vazhdimisht ka ngritur zërin kundër diskriminimit të shqiptarëve dhe ku, si pasojë, është shkarkuar vitin e kaluar. Po ashtu, emërimi i Besiana Mehmedit shihet edhe si zbutje e revoltës nga gjinia femërore, e cila ka shpërthyer si pasojë e anashkalimit të femrës shqiptare në emërimet e eshalonit të parë dhe dytë. Besiana Mehmedi ka lindur në Kërçovë, u shkollua në Prishtinë, ka kryer dy magjistratura, në solo-këndim dhe muzikologji. Ka punuar një kohë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë është bashkëpunëtore e Radios shtetërore Australiane. Nga viti 2006 ajo punon në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku aktualisht është profesor i rregullt. E dëshmuar si këngëtare e njohur në skenën kombëtare e ndërkombëtare, propozuesit janë të bindur se Besiana Mehmedi do të dijë të orientojë kulturën shqiptare në drejtimin që duhet. Besiana nga viti 2013 ka ngritur në këmbë disa aktivitete kulturore të rëndësishme për Kërçovën, ndërsa ka qenë vazhdimisht e përkushtuar në ngritjen e vetëdijes brenda partisë për avancimin e kulturës dhe artit shqiptar në Maqedoni.