Urim HASIPI
Tetovë, 25 korrik – Pas më shumë se dhjetë viteve që kur komunat morën më shumë kompetenca në disa sfera, të njëjtat kanë mbetur në vendnumëro, vetëm në sferën e arsimit, dhënies së lejeve të ndërtimit dhe infrastrukturës lokale. Krerët e komunave shprehen se ingerencat e ndara nuk janë të mjaftueshme, por ata shpresojnë se Qeveria e re të mbajë premtimin për rritjen e TVSH-së për financimin e komunave. “Janë ndarë disa ingerenca, siç është menaxhimi me tokën ndërtimore, por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse krahas kompetencave duhet të ketë edhe mjete, duhet të ketë një decentralizim fiskal më të përpiktë, sepse ligji aktual nuk është konform nevojave dhe kërkesave të komunave dhe rajoneve. Këtu mendoj se duhet të bëhet ndërhyrje në ligjin për decentralizim fiskal, duhet të rritet përqindja e TVSH-së dhe e njëjta të jetë afër 6 për qind”, deklaroi kreu i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti. Ata po ashtu presin që të mbahen premtimi që të gjitha rajonet të marrin mjete nga BPV. “Shpresojmë se me premtimet e Qeverisë dhe me Ligjin për financimin e rajoneve planore që janë tetë qendra në Maqedoni, dhe nëse Qeveria e mban premtimin se një për qind e Bruto Prodhimit Vendor, do të shkojë për këto qendra, atëherë mendoj se mund të marrim më shumë kompetenca”, thotë Pajaziti. Kreu i Bërvenciës thotë se deri më tash komunat, edhe pse me buxhetet të vogla, kanë arritur që deri diku të realizojnë projekte për qytetarët. “Mund të them se brenda mandatit janë realizuar projekte, ka edhe që kanë ngecur, por në pjesën dërmuese të projekteve në infrastrukturë komunat janë kofinancues. Ka edhe projekte që realizon vet, por edhe shumë janë që bëhen bashkë me agjencione të huaj apo vendore shtetërore, përmes ministrive e kështu me radhë. Me mjete të huaja apo Bankës për zhvillim, janë duke u realizuar dy projekte të mëdha në këtë komunë”, deklaroi Pajaziti. Kreu i Bërvenicës, Enver Pajazitit, tashmë është në fund të mandatit të tij të dytë në krye të komunës dhe ai mendon që të kandidohet edhe për një mandat. Ai është i vetëdijshëm se komunat me buxhetet që kanë nuk mund të kënaqin nevojat e të gjithë qytetarëve. “Sa janë nevojat e qytetarëve karshi mjeteve që kemi normal se nuk mund të arrijmë të përmbushin të gjitha ata kërkesa. Në raport me atë, ne kemi pasur edhe bashkëpunim me Agjencionin për Zhvillim Rural, ku kemi realizuar disa projekte infrastrukturore dhe deri më tash bashkëpunimi ka qenë korrekt. Këtë vit aplikuam me një projekt dhe e kemi fituar të njëjtit ku edhe është realizuar pra bëhet fjalë për rregullimin e një rruge në fshatin Çellopek, me vlerë prej 1 milion denarëve”, tha ai. Përndryshe, krerëve të komunave në Maqedoni, që në muajin maj u ka skaduar mandati, ndërsa ata tashmë janë duke përfunduar edhe muajt e fundit pas shtyrjes së afatit për mbajtjen e zgjedhjeve lokaleve. Në Komunat e Pollogut vazhdon që problem të mbetet uji i pijshëm, kanalizimi, mbeturinat dhe një sërë problemesh në infrastrukturën rrugore.