Dibër, 10 shkurt – Viteve të fundit në Komunën e Dibrës është prezent një dukuri negative, që ka të bëjë me dëmtimin e projekteve për zhvillim lokal, shkruan gazeta KOHA. Nga persona ose grupe të papërgjegjshëm ka pasur shumë dëmtime të ndërtimeve të realizuara nga pushteti vendor, me çka dukshëm është dëmtuar shoqëria dhe komuniteti. Një akt vandal ka ndodhur në rrugën Dibër – Bomovë si dhe në rrugën në ndërtim për në fshatrat Ame dhe Banjisht, e cila ka qenë një rrugë tradicionale, por që ka pasur shumë dëmtime e tani bëhet hapja dhe asfaltimi i ri i saj. Janë djegur gypat plastike të vëna në rrugë. Pushteti vendor ka reaguar ashpër dhe ka kërkuar që keqbërësit të marrin dënimin e merituar organet kompetente. Kryetari i Dibrës, Ruzhdi Lata, thotë se nuk është hera e parë që dëmtohet pasuria komunale. Gypat shërbenin për ujitjen e fushave të kësaj zone dhe komuna do të duhet t`i zëvendësojë që të mos dëmtohen bujqit lokal, thotë Lata dhe shton se këta dukuri negative janë tendenca destruktive dhe nuk i shërbejnë komunitetit dhe shoqërisë në përgjithësi. Këto dëme shkaktojnë vetëm harxhime të reja, shton kryetari i Dibrës.
Revoltë shpreh edhe popullata dibrane. Sipas dibranëve, ky vandalizëm është i papranueshëm dhe kërkojnë që personat dhe ndoshta grupet e organizuara të zbulohen dhe të dënohen. Dukuria negative dëmton imazhin e dibranëve. shtojnë ata. Por, kjo nuk është hera e parë që ndokush të dëmton projektet lokale, të cilat realizohen nga pushteti vendor. Deri tani ka pasur dëmtime disa here të kandelabrave për ndriçim në rrugën kryesore. Dëmtime janë vërejtur edhe ne parkun në lagjen Venec, ku më së shumti janë dëmtuar banorët e kësaj lagje. Për fat të keq vandalizmi është vërejtur edhe në rrugën e liqenit, që është një projekt që ka të bëjë me zhvillimin e turizmit lokal, por edhe me mundësinë e rekreimit të dibranëve.
Dukurit negative i ka dënuar edhe Këshilli i komunës, por edhe organizatat qytetare, të cilat potencojnë se deri tani asnjë nga keqbërësit nuk është ndëshkuar. Nëpër qytet flitet se dëmtimet organizohen edhe nga grupe, të cilat nuk ia duan të mirën Dibrës dhe tentojnë që të pengojnë rezultatet e projekteve të shumta efikase që realizohen në këtë qytet. (V.S)