Komisioni për Çështje evropiane në Dhomën e Poshtme të Parlamentit gjerman, Budestag, sot mban seancë të rregullt në të cilën krahas çështjeve për Bregzit dhe unionit doganor të BE-së pas daljes së Britanisë së Madhe, do të debatojë edhe për gjendjen në Ballkanin Perëndimor.
Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Berlini, Komisioni do të debatojë për informacionin e përgatitur prej Qeverisë federale për gjendjen aktuale në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni.
Pritet deputetët të debatojnë edhe për gjendjen në Kosovë, pas paralajmërimeve për formimin e armatës së Kosovës, për krizën politike në Shqipëri, ku opozita i bojkotoi institucionet dhe refuzon të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, ndërsa nuk përjashtohet që të debatohet edhe për pasojat për stabilitetin e rajonit pas furnizimit të fundit të armëve ruse nga Serbia.
Në seancën e Komisionit, në të cilën do të marrë pjesë edhe ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Zigmar Gabriel, do të flitet edhe për çështjet aktuale evropiane me theks në largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, si dhe për pasojat e Bregzitit pas doganave.