Frika nga sulmet terroriste në Turqi kanë bërë që dy ekipet kombëtare U-20 në volejboll për vajza të mos shkojnë në Ankara të Turqisë, aty ku luhen ndeshjet e Grupit B eliminator të Kampionatit Botëror të Volejbollit për këtë grupmoshë. Kështu, ekipet kombëtare U-20 të Finlandës dhe Austrisë nuk kanë udhëtuar drejt Turqisë nga frika e sulmeve terroriste, që kanë gjunjëzuar këtë vend muajt e fundit, një vendim që ka krijuar jo pak polemika dhe rrëmujë. Ndërkohë që ka udhëtuar vetëm kombëtarja e Bullgarisë e pranishme në këtë grup bashkë me Turqinë, vendin organizator. Dje dhe sot kanë qenë në program ndeshjet e dy ditëve të para, por ato nuk janë luajtur dhe fitorja u është dhënë në tavolinë 3-0 (25-0, 25-0, 25-0) ekipeve të Bullgarisë dhe Turqisë, që nesër do të përballen me njëra-tjetrën për vendin e parë në grup. Drejtuesit e Federatës së Austrisë dhe Finlandës janë shprehur njëzëri se për ta është i rrezikshëm dërgimi i ekipeve kombëtare në Turqi, pasi për ta është më e rëndësishme jeta e sportisteve se sa një turne. Gjithsej, në Europë, janë katër grupe eliminatore dhe ekipi që renditet i pari kualifikohet direkt për në fazën finale të Botërorit U-20 për vajza, që zhvillohet gjatë verës në Argjentinë.