Vjollca SADIKU
Dibër, 29 mars – Dibra dhe rrethina e saj vazhdojnë të kenë një prodhimtari të theksuar të prodhimeve bio. Arrat, gështenjat, por edhe lajthitë janë prodhime të cilët kanë mbajtur fuqishëm epitetin e prodhimeve bio, shkruan gazeta KOHA. Ato nuk spërkaten, nuk plehërohen dhe si të tilla garantojnë prodhimtari të tyre të pastër. Po ashtu, në rajonin e Dibrës çajet e boronicës, dëllinjës, blinit, trëndafilit të egër janë të shumtë dhe ato konsiderohen si prodhime bio. Kjo situatë flet qarët se prodhimtaria në fjalë garanton që edhe sot mund të kemi një epitet të bio prodhimeve në Komunën e Dibrës, por edhe në rajonin më të gjerë.
Në njësinë e Ministrisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ujëra në Dibër, ekspertët thonë se rajoni i pastër duhet të shfrytëzohet për një prodhimtari më të theksuar të prodhimeve bio. Klima është e përshtatshme për disa kultura të veçanta. Ajri i pastër, lartësia mbi nivelin e detit, e bëjnë shumë të mundur ruajtjen e prodhimeve bio, por njëkohësisht edhe ngritjen e fermave që synojnë një prodhimtari të tyre. Udhëheqësi në Njësinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave në Dibër, Arben Mulladauti, ka vlerësuar se ky rajon posedon të gjitha kushtet për një prodhimtari bio. Sipas tij, Dibra veçmas dallohet për prodhimin bio, siç janë arra dhe gështenja. Këto të dy prodhime janë të njohura në vendin tonë dhe kërkesa për plasmanin e tyre është e madhe si në Dibër, ashtu edhe në qytet të tjera të Maqedonisë. Sipas tij, ato nuk stërpiken dhe faktikisht garantojnë një prodhimtari të pastër. Kur bëjmë fjalë për arroret, ato veçmas janë prezent në fshatrat kufitare të Dibrës, siç janë Spasi, Sollokiçi, Bomova, Konjara, Shullani, Otishani dhe Xhepishti. Në këto fshatrat arrat dhe gështenjat janë prezent në sipërfaqe të mëdha. Pronarët e këtyre sipërfaqeve gjithmonë theksojnë se kultivimi i arroreve është natyror. Kjo gjendje, sipas tyre, u mundëson që plasmanin ta realizojnë pa probleme. Çmimi i këtyre dy prodhimeve gjithmonë ka qenë i lartë në krahasim me arroret që prodhohen në rajonet tjera të vendit. Selaudin Strikçani dhe familja e tij më e gjerë, dekada me radhë merren me prodhimtarinë e gështenjave. Ata janë teje te kënaqur kur është në pyetje kualiteti dhe çmimi i gështenjës.
Po ashtu, rrethi i Dibrës karakterizohet me pasurinë që ka nëpër pyjet dhe malet që rrethojnë atë. Çajet e ndryshme janë krejtësisht bio dhe pas grumbullimit të tyre, me interes të veçantë blihen nga ana e kompanive që merren me grumbullimin të çajeve dhe bimëve mjekuese. Të dhënat jozyrtarisht flasin se mbi 200 familje të fshatrave, por edhe të qytetit të Dibrës merren me grumbullimin e bimëve mjekuese dhe çajeve. Problemi i këtyre familjeve, siç thonë ata është nevoja për një pikë grumbulluese. Aktualisht ka pikë grumbulluese në rajonin e Rekës së Poshtme, por jo edhe në Dibër. Kur jemi te bimët mjekuese dhe çajet, të theksojmë se në këtë drejtim një grumbullim të theksuar kanë banorët e fshatrave Otishan, Xhepisht, Mogorçë dhe Kosovrast. Në këtë drejtim, disa shoqata qytetare kanë organizuar ligjërata dhe trajnime për mënyrën dhe kohën për grumbullimin e bimëve mjekuese dhe çajeve. Një pjesë e mirë e banorëve, duke marrë parasysh se prodhimet janë bio, përfitojnë edhe mjetet të majme materiale.
Kur bëjmë fjalë për prodhimtarin bio, mund të themi se në këtë drejtim Dibra ka pasur dhe ka kushte të mira për prodhimtarinë e mjaltit. Mbi 100 bletarë me sukses merren me këtë aktivitet. Shoqatat që veprojnë në Dibër, thonë se pjesa dërmuese e bletarëve prodhojnë mjaltin organik. Po sipas tyre, ndoshta mungojnë disa aktivitete të cilët nuk japin mundësi që ata të përfitojnë subvencione që merren nga institucionet kompetente të vendit, për prodhimtari të mjaltit bio. Atyre ju duhet përkrahje që të arrijnë në ato elemente. Aktualisht vetëm afro dhjetë bletarë kanë epitetin e prodhuesve të mjaltit organik. Kushtet klimatike dhe ajri i pastër mundësojnë një prodhimtari të madhe të mjaltit organik, thonë përfaqësuesit e shoqatave të bletarëve të Dibrës. Po ashtu Dibra dhe rrethina e saj karakterizohen edhe me prodhimtari bio edhe në sferën e blegtorisë. Djathi i njohur i bardh dibran vazhdon të jetë një prodhim që garanton pastërtinë e tij ekologjike. Të dhënat e Shoqatës së blegtorëve dibranë “Dashi”, thonë se ekspertizat të cilat janë bërë deri tani nga institucionet kompetente tregojnë se vegjetacioni i pasur në kullosat e maleve të Dibrës, garanton qumësht bio, i cili pastaj mundëson dhe prodhime të qumështin të jenë natyrore.
Të gjithë këta prodhime bio janë një mundësi e fuqishme që komuna dhe rajoni më i gjerë të kenë një zhvillim më të madh nëpërmjet këtij sektori. Ata që merren me bujqësi dhe blegtori thonë se zhvillimi lokal i Dibrës shumë varet nga zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë. Duke marrë parasysh se tani është koha për bio-prodhime, kjo duhet të shfrytëzohet maksimalisht.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara