Arlind Ajeti dhe Albian Ajeti mund të luajnë sezonin 2017-2018 në radhët e të njëjtës skuadër në elitën e futbollit italian. Zërat e merkatos shohin të dy vëllezërit të bashkohen te i njëjti ekip i Serisë A, SPAL, që kërkon përforcime më këtë sezon historik për klubin e qytetit të Ferrara.
Arlind Ajeti është në kërkim të një skuadre sepse Torino e ka nxjerrë edhe zyrtarisht jashtë planeve, duke e shpallur në shitje dhe duke bërë të qartë se nuk e pret në grumbullim me pjesën tjetër të lojtarëve. SPAL është e interesuar për të përforcuar qendrën e mbrojtjes dhe pavarësisht sezonit për t’u harruar te Torino, drejtuesit e këtij klubi besojnë se futbollisti i përfaqësueses shqiptare do të jetë në gjendje të tregojë vlerat e tij ashtu siç bëri te Frozinone.
“La Gazzetta Dello Sport” konfirmon se bisedimet mes palëve janë konkrete, ndërsa duhet përcaktuar nëse do t’i bëhet një pagesë sado modeste klubit të Torinos me të cilin mbrojtësi ka kontratë edhe për dy sezonet e ardhshme.
Nga ana tjetër, Albian Ajeti është në kërkim të hapit cilësor në karrierë. Sulmuesi i talentuar 20 vjeçar ka treguar shpesh se është në gjendje të luajë në nivele të larta, por nuk ia doli të shpërthente në mundësinë që iu dha te Augsburgu në Bundesligë. St. Galen bleu 1 milion franga kartonin e tij, por u shfaq menjëherë i gatshëm të përfitonte financiarisht sapo Bazeli bëri të ditur se interesohej për futbollistin.
Nuk dihet ende nëse SPAL është gati të blejë kartonin e Ajetit apo nëse e kërkon në huazim, por konfirmohet se bisedimet janë në fazë të avancuar dhe në ditët në vijim do të mësohet më shumë rreth një transferimi të mundshëm të lojtarit në kampionatin italian.