Omer XHAFERI
Shkup, 5 janar – Me fillimin e vitit të ri në Maqedoni kanë hyrë në fuqi një numër i konsiderueshëm i dispozitave të reja ligjore, përfshirë edhe aktet nënligjore si pjesë e sistemit juridik, shkruan gazeta KOHA. Krahas ndryshimeve në Ligjin për përmbarues, normat e të cilit gjatë vitit të kaluar ngjallën shumë pakënaqësi te popullata, me fillimin e vitit ka filluar edhe zbatimi i ndryshimeve në Ligjin për noter. Normat e reja të këtij ligji parashohin organizimin e noterëve si shërbim publik, procedurat për emërtim dhe shkarkim të tyre, hapësirën e punës dhe veprimet zyrtare të noterëve, përpilimi i dokumenteve për noter, mbikëqyrja dhe përgjegjësia disiplinore e tyre, e kështu me radhë. Duke ju referuar të dhënave nga Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë(GZRM), me fillimin e vitit të ri ka filluar edhe zbatimi i ndryshimeve të Ligjit për skijim, të cilin Parlamenti i votoi vitin e kaluar.
Në mesin e listës së gjatë të dispozitave ligjore që kanë pësuar ndryshime hynë edhe Ligji për tatimin e vlerës së shtuar dhe Ligji për tatimin e fitimit. Kur flitet për TVSH-në si taksë, ndryshimet e ligjit në fjalë janë bërë në drejtim të dorëzimit të raporteve periodike për transaksionet që bëhen në denarë dhe në deviza. Në ndërkohë, siç thuhet në GZRM, dispozitat e reja për tatimin e fitimit parashohin stimulimin e taksave që lidhen me dhurimin e fondeve për federatat sportive dhe sportistët aktiv. Përveç këtyre normave, ndryshime ka pësuar edhe Ligji për punë të brendshme, gjegjësisht me fillimin e vitit të ri ka hyrë në fuqi klasifikimi i vendeve të punës, aktet për organizim dhe punë, gjegjësisht kushtet për avancimin në ndonjë pozitë tjetër. Edhe dispozitat e Ligjit për librin amë kanë pësuar ndryshime, ku nga 1 janari i këtij viti ka filluar zbatimi i procedurës për sjelljen e vendimit për regjistrim shtesë në librin dhe certifikatat e librit amë që ndahen në përfaqësisë diplomatike konsullore. Ndryshe, siç thuhet në publikimin e GZRM-së, nga 8 janari fillon zbatimi i dispozitave të reja të Ligjit për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve publik, gjegjësisht përmbushja e numrit të nevojshëm të prokurorëve publik për realizimin e kompetencave komfor ligjit, kur bëhet fjalë për fazën fillestare të trajnimit në Akademi. Zgjedhja dhe shkarkimi i dekanëve nëpër fakultet e ndryshme që funksionojnë në Maqedoni, paraqet njërën prej dispozitave të shumta ligjore që ka pësuar ndryshime, e cila hynë në fuqi nga 30 janari i këtij viti, si pjesë e Ligjit për arsim të lartë. Përpos ligjeve dhe akteve nën ligjore që hynë në fuqi ditë më parë, nga 1 janari i këtij viti ka filluar edhe zbatimi i Programit për dëmshpërblim të fëmijëve që janë viktima apo janë dëmtuar nga ndonjë veprim i cili me ligj parashihet si vepër penale, gjegjësisht vepër e shoqëruar me dhunë individuale apo kolektive.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.