Kështu diktatorët mbajnë nën kontroll popujt e tyre

15

Diktatorë si Kim Jong-Il, i kontrollonin njerëzit përmes frikës dhe privimit. Kontrolli mbi informacionit është gjithashtu i rëndësishëm, në mbajtjen e një populli të shtypur. Imazhet e grave të Koresë së Veriut (por dhe disa burrave) që qanin me dënese pas lajmit të vdekjes së diktatorit Kim Jong-Il, nuk ishte ndoshta i çuditshëm në një vend ku bindja e verbër është diçka e pritshme, dhe pjesa më e madhe e shoqërisë, thonë ekspertët, e pati ndjekur “Udhëheqësin e tyre të dashur”, pasi kjo ka qenë në interesin e tyre më të mirë të përbashkët. Por si mundën diktatorë si Kim – Sadam Husein, Hitleri apo Stalini, të ruajnë pushtetin mbi popullin e tyre? Psikologë dhe sociologë që studiojnë terrorizmin, thonë se diktatorët janë në gjendje të përhapin frikë në mesin e njerëzve të tyre, dhe ta vendosin veten si shpëtimtari i vetëm. Prodhimi i një kërcënimi të jashtëm, si hebrenjtë në Gjermaninë e Hitlerit, apo i gjithë Perëndimi për Kim, ndihmon në mbajtjen e shoqërisë jashtë balancës duke e bërë kolektivisht paranojake. Diktatorët shfrytëzojnë gjithashtu një instinkt të njohur për shumë njerëz, që është kërkimi i mbrojtjes nga një udhëheqës i fortë, sipas Elis LoCicero, psikologe në Kembrixh të Masaçusetsit në SHBA, njëherazi studiuese mbi lidershipin dhe terrorizmin.

“Sjellja jonë është ende e ndikuar nga ajo që ka ndodhur mijëra vjet më parë. Është më e lehtë të kuptosh, pse është e përshtatshme dhe e zakonshme që njerëzit të shkojnë pas udhëheqësve të fuqishëm. Në evolucionin darvinian, njerëzit që qenë lidhur me udhëheqësin mbijetuan. Ky instinkt është trashëguar deri në ditët tona”, thotë LoCicero. Kjo e fundit ka studiuar lidershipin ne radhët e organizatave terroristëve dhe viktimave të terrorizmit në të 5 kontinentet. Psikologjia thotë se në disa kultura, është e rëndësishme të tregohet respekt ndaj udhëheqësit, si kur bëhet fjalë për familjen e diktatorit të Koresë së Veriut, apo edhe një mësues të thjeshtë në një zonë periferike. ”Do të ishte e turpshme për një familje apo individ, nëse ata nuk tregonin një respektit të madh”- thotë ajo.

Diktatorët janë gjithashtu në gjendje të sundojnë me mjete më shumë praktike, si frika dhe kontrolli e informacionit, shpehet Xherold Post, drejtor i Programit të Psikologjisë Politike në Universitetin Xhorxh Uashington. Post ka studiuar personalitetin e Sadam Huseinit dhe Kim Jong Il për disa dekada, dhe thotë me shaka se programi i tij mësimor për diktatorët së shpejti mund të cilësohet i vjetruar. Post tha se në Irak dhe Korenë e Veriut, diktatorët kontrollonin fort rrjedhjen e informacionit. Ky lloj kontrolli u zhduk vitet e fundit, gjatë revoltave të “Pranverës Arabe”, që rrëzoi despotët në Tunizi, Egjipt, Libi dhe disa nga shtetet e Gjirit, revolta që inkurajuan përhapjen e informacionit përmes telefonave celularë dhe mediave sociale. “Kontrolli i informacionit dhe i kundërshtarëve të rregjimit, janë pjesë thelbësore e strategjisë për ruajtjen e një shteti totalitar”- thotë Post. Në Korenë e Veriut, Kim dhe politikat e tij qenë përgjegjëse për një krizë që çoi në vdekjen e 1 deri në 2 milionë njerëzve. Kur ushqimi më në

fund mbërriti, mesazhi nga mediat shtetërore ishte se ky qe një haraç që duhej paguar për   udhëheqësin e madh.

Tanimë që në Korenë e Veriut pushtetin e ka djali i Kim, Kim Jong Un, që deri më tani po vijon të ecë në rrugën e të atit. Sipas shumë historianëve, Kim ishte një tiran i pamëshirshëm – e katandisi popullin e tij të vdesë urie, ndërsa vetë dhe gjeneralët e tij bënin një jetesë bujare; duke kërcënuar me armë bërthamore Korenë e Jugut dhe Perëndimin, në një kohë që ekonomia mbeti e zhytur në krizë. Atëherë, pse populli nuk u rebelua ndaj tij dhe së fundi të birit ? Në atë vend ka një kontroll të atillë të përgjithshëm, sa që nëse 4 persona shihen duke folur bashku, ky mund të shihet si një konspiracion, thotë Post, i cili ka intervistuar shumë të arratisur nga Koreja e Veriut.

“Bëhet fjalë për një depërtim të thellë të sigurimit të brendshëm”, shprehet ai. “Çdo shfaqeje e tradhtisë apo mospajtimit dënohet brutalisht”. Post shton se kulti i personalitetit rreth Kim dhe diktatorëve të tjerë ishte nxitur nga miti i krijuar rreth origjinës së tyre. Për shembull, për Kim besohet se ka lindur në një fshat nën hijen e një mali të shenjtë në Korenë ë Veriut, ku ardhja e tij në jetë ishte parathënë nga një dallëndyshe, ndërsa ai vetë u shfaq nën një ylber të dyfishtë. Në të vërtetë, Kim ka lindur në një qytet të varfër në ish-Bashkimin Sovjetik, ku babai i tij ishte udhëheqës i një brigadë ushtarake koreane në megrim, nën komandën ruse. Personaliteti i Kim ka qenë objekt i një studimi të vitit 2009 nga Frederik Kullixh, profesor i psikologjisë në Universitetin e Kolorados. Kullixh dhe kolegu i tij Daniel Singer, përdorën intervistat me një psikolog nga Koreja e së Jugut, i cili kishte “trajnim të avancuar psikologjik dhe intim, si dhe njohuri themelore rreth Kim Jong-Il”. Psikologët në Kolorado, patën zhvilluar më herët një test personaliteti për disa lloj diktatorësh, dhe e përdorën atë për të analizuar edhe Hitlerin dhe Huseinin. Rezultati i Kim, doli shumë më pranë modeleve të personaliteteve të sëmura. “Për çrregullime të personalitetit, dukej se ai zotëronte të paktën 6 nga simptomat:sadist, paranojak, i heshtur, narcisistik, skizofren dhe shizotipal”- shkruan Kullixh dhe Singer. “Të tre diktatorët gjithashtu treguan prova të proceseve psikotike të mendimit”. (News Discovery)

Comments are closed.