Organizata “Manifesti maqedonas”, përmes një letre drejtuar presidentit të Maqedonisë, Gjorgji Ivanov dhe kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, kanë paralajmëruar se lidhur me planin e ashtuquajtur B të Zaevit me shqiptarët, për konstituimin e Parlamentit të Maqedonisë, njofton agjencia e lajmeve “INA”. Sipas kësaj organizate, “ky plan është arritur në Strugë mes terroristit Ali Ahmetit dhe ministres shqiptare Mimi Kodheli”. “Në këtë mënyrë, çdo vendim i marrë nga presidenti për gjendje të jashtëzakonshme apo luftë patjetër duhet të kalojë në Parlament, ku shumicën do ta kenë elementet anti-shtetërore dhe anti-maqedonase. Pastaj plani B parasheh krijimin e qeverisë pa mandatin e presidentit dhe atentat mbi atë, që të mundet në mënyrë ‘ligjore’ kryeparlamentari shqiptar ta udhëheq Maqedonisë. Atëherë protestat qytetare do të përfundojnë me dhunë dhe gjak mbi popullin maqedonas”, thuhet në reagim. Nga kjo organizatë kërkojnë që Ivanov dhe VMRO të gjejnë një mënyrë për të mos lejuar këtë skenar i cili rrezikon shtetin, si dhe ftojnë qytetarët që ta bllokojnë Parlamentin e Maqedonisë.