Driton ZENKU
Gostivar, 23 mars – Policia e Gostivarit, në koordinim dhe urdhër të Prokurorisë publike, të mërkurën në mbrëmje ka ndaluar dhe mbajtur në Stacionin Policor katër persona të dyshuar për sulmin dhe grabitjen ndaj shtetasit britanik të martën në Mavrovë, shkruan gazeta KOHA. Sipas dëshmisë së tij, shtetasi nga Britania, me biçikletë kishte qenë duke lëvizur rrugës dhe është ndaluar nga dy persona të panjohur, të cilët kishin qenë pranë automjetit të parkuar dhe brenda së cilës ndodhej edhe një person tjetër. Personat e panjohur turistit nga Britania i kishin kërkuar dhe me dhunë i kishin marrë 2000 denarë si dhe dy kartela bankare bashkë me kodet e tyre. Dy nga ato, pastaj ishin nisur drejt Gostivarit me makinë, kurse i treti kishte ngelur për ta ruajtur që të mos ikte. “Pas një kohe të shkurtër, dy personat ishin kthyer në vendin e ngjarjes, ia kishin lidhur duart dhe përsëri ishin nisur drejt Gostivarit. Shtetasi britanik, i cili ndodhej në ulësen e prapme të automjetit, me thikë ka arritur t’i zgjidh duart dhe njërin nga grabitësit kishte arritur ta qëllonte me thikë dhe të zbriste nga makina, pas çka kishte ikur drejt malit më të afërt, nga ku i kishte njoftuar familjarët e tij të cilët pastaj e kishin lajmëruar rastin”, deklaruan për gazetën KOHA nga policia e Gostivarit. Pas denoncimit, menjëherë ka filluar aksioni për ta gjetur çiklistin e strehuar në mal. I dëmtuari është gjetur në afërsi të xeherores “Pellagonija”, në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkurë”, thuhet në njoftimin zyrtar nga Prokuroria publike. Jo zyrtarisht, ka qenë Ambasada britanike në Shkup që ka bërë trysni deri tek autoritetet e Republikës së Maqedonisë që shtetasi i tyre të gjendet sa më shpejt, madje brenda 24 orëve. Pas një kërkimi disa orësh, polici arriti të lokalizon vendqëndrimin e tij. Jo zyrtarisht, mësohet që shtetasi britanik natën e kishte kaluar nën qiell të hapur në thellësi të malit dhe se brenda kohës ishte sulmuar edhe nga qentë. Prokuroria publike dhe ekipi i Sektorit të Punëve të Brendshme, kryen hetime në vendin e ngjarjes dhe punohet në zbardhjen e rastit. Duhet theksuar që ekipi i gazetës KOHA dhe Televizionit Globi nga Gostivari, ishin në vendngjarje dhe insistuan të marrin prononcim nga turisti britanik i cili pranoi të fliste, por një gjë e tillë u pengua nga organet e hetuesisë që ndodheshin në terren.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara