Askush nuk dëshiron më të luaj kundër skuadrës Canelas 2010, ekip që aderon në kategorinë e katërt të kampionatit portugez. Jo më kot, Canelas 2010 ka fituar 12 ndeshjet e fundit në tavolinë me rezultatin afrofe 3-0, pasi kundërshtarët nuk paraqiten më për të luajtur ndeshjet. Më mirë të dhurosh ndeshjen dhe të paguash 750 euro gjobë, se të përballesh me një skuadër goditësish e shkelmuesish. Është ky denoncimi i drejtuesve të disa ekipeve kundërshtare të Canelas 2010, të publikuara në gazetën spanjolle “El Pais”, që flet për ekipin ku luajnë disa ultras të tifogrupit “super Dragoes”, mbështetës të Porto.
“Fitojnë falë kërcënimeve, agresivitetit dhe dhunimit të djelmoshëve rreth të 20-ave. Pësojmë dhe vuajmë mungesën e korrektesës dhe disiplinës sportive nga Canelas 2010, por gjithsesi arbitrat janë nën presion dhe nuk shkruajnë asgjë në raportet e tyre pas ndeshjes. Askush nuk ndërhyn”, u ka treguar gazetarëve spanjollë një drejtues i njëës prej skuadrave të dëmtuara. “Është një gënjeshtër dhe një mashtrim që na dëshpëron. Promovimi dhe ngritja në kategori është objektivi ynë dhe po përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për ta arritur. Ne luajmë me zemër dhe futbolli në këto kategori ka qenë gjithmonë një sport i fortë, i karakterizuar nga fiziku dhe përplasjet. Nuk po flasim për balet apo not. Kush ka frikë le të blejë një qen”, është replica e kapitenit të skuadrës, njëherësh edhe kapo i ultrasve, Fernando Madureira. Ndërkohë, videot që qarkullojnë në “Youtube”, flasin vetë.