Besart Berisha vazhdon të shkëlqejë në futbollin australian, raporton zeri.info. Futbollisti kosovar e ka fituar përsëri çmimin “Këpuca e Artë”, të cilin do ta ndajë së bashku me Jamie Maclaren, pasi realizoi 19 gola në sezonin e rregullt të A-League. Penalltia e humbur nga ana e Maclaren në minutën e 76-të në fitoren e Brisbane Roar ndaj Wellington Phoenix ia pamundësoi atij që ta kalojë përfaqësuesin kosovar.
“Është ndjenjë e papërshkrueshme ta fitoj ‘Këpucën e Artë’ së bashku me Besart Berishën”, ka shkruar Maclaren. Ndërkaq, fituesi i sezonit të kaluar, Bruno Fornaroli, ka përfunduar me 17 gola, gjashtë më pak se sezonin e kaluar. Xhiroja e fundit ishte vendimtare si për Berishën, ashtu edhe për Maclaren. Prishtinasi u bë lojtari i parë në histori të A-League që realizon 100 gola pasi shënoi në fitoren e Victory 1:0 ndaj Central Coast Mariners. Berisha e arriti golin numër 52 me Melbourne Victory, derisa kishte shënuar 48 gola me Brisbane Roar, me të cilin po ashtu e fitonte titullin e kampionit dhe “Këpucën e Artë”, pasi kishte shpërthyer në futbollin australian me të mbërritur nga Evropa.
Berisha iu bashkua Shane Smeltz duke u bërë vetëm lojtari i dytë që e fiton titullin e golashënuesit më të mirë të A-League dy herë. Ai e kishte fituar këtë çmim më saktësisht në sezonin 2011/12 me Brisbane Roar, kur kishte shënuar po ashtu 19 gola në sezonin e rregullt. “Kjo është diçka fantastike. Unë jam një sulmues dhe prej sulmuesve priten gola. Kështu që unë vetëm e kam kryer detyrën time, duke shënuar kaq shumë gola. Si sulmues që jam synoj të vazhdoj të shënoj edhe gola të tjerë sepse ato priten nga unë”, ka thënë Berisha pasi e ka arritur shifrën e 100 golave në Australi.