Shkup, 8 nëntor – Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, nënkryetarja Ermira Asani-Salija dhe anëtari i Kryesisë qendrore Kastriot Rexhepi, janë takuar me ambasadorin francez në Shkup, Shkëlqesinë e tij, Kristian Timonie. Në këtë takim, nga përfaqësuesit e BESËS, ambasadori francez Timonie u njoftua për Platformën “Ridefinimi”, pjesë e së cilës është përveç Prokuroria Speciale Publike, edhe nevoja e domosdoshme për themelimin e Gjykatës Speciale, për daljen nga kriza e thellë politike në vend. Ndër të tjera, ambasadori francez u interesua për përgatitjet e BESËS për zgjedhjet e 11 dhjetorit, pas të cilave pritet që në Maqedoni të fillojnë proceset për progresin drejt integrimeve euro-atlantike. Siç thuhet në kumtesë, takimet e këtilla miqësore dhe në frymë pozitive janë në vazhdën e intensifikimit të lidershipit të BESËS me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në vend.