Koalicioni “Rilindje me Besë’’, sonte ishte prezent në Saraj, ku para banorëve të kësaj ane ata shpalosën Platformën dhe programin zgjedhor. Në këtë tubim ishte prezent edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami. Gjatë fjalimit të tij sonte në Saraj, mes tjerash kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha: “Ne duam të promovojmë politikanë të realizuar në profesionet e tyre, të cilët nuk do e përdorin partinë si strehimore të vetmen për t’i mbuluar dhe fshehur paaftësitë e veta personale. Ne besojmë se në politikë janë më të dëmshëm të pasuksesshmit dhe të parealizuarit në profesionet e veta, ngaqë ata veprimtarinë politike e përdorin si mundësi për t’i realizuar ambiciet e tyre joproporcionale me aftësitë që kanë”. Ndër të tjerat, kryetari Bilall Kasami shtoi: “Ne të lëvizjes Besa duam t’i japim fund mendësisë, e cila politikën e konsideron si biznes më fitimprurës, ne duam t’i themi mjaft më veprimtarisë politike që ka për qëllim realizimin e interesave dhe ambicieve personale të drejtuesve partiak dhe të atyre që konsiderohen si baballarë të partive. Ne si shqiptarë të Maqedonisë duhet të tregohemi të përgjegjshëm e të ndërgjegjshëm për fatin e fëmijëve tanë dhe duhet ta kuptojmë se me këta politikanë që na përfaqësonin deri tani, ne thuajse filluam t’i ngjajmë popullit të cilit i përshtaten politikanë të korruptuar dhe banditë partiak, te të cilët mund të blesh vend pune, mund të blesh diplomë fakulteti dhe të cilët të japin librezë partiake, por duke t’i marrë të gjitha dhe duke të shpallur shërbëtor të partisë së tyre…”. Zeqirija Ibrahimi, bartës i Njësisë zgjedhore numër 1 tha: “Nga kjo foltore e kam një porosi për ata që shitën hoxhallarë neper tubime, ata të cilët përgatiten për të vjedhur vota, ata të cilët përgatiten për të blerë vota, ju them se edhe vjedhësi edhe shitësi vendin e kanë në xhehenem. Fitorja e koalicionit “Rilindje me BESË’’ është e padiskutueshme andaj veproni kështu nga paniku”.