Omer XHAFERI
Shkup, 6 korrik – Shkeljet e procedurave ligjore dhe mos respektimin e parimit të transparencës për regjistrimin e kandidatëve në Akademinë Ushtarake i ka konfirmuar edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska. Gazeta KOHA javën e kaluar raportoi se pjesa dërmuese e kandidatëve që iu nënshtruan testit psikologjik dhe kontrollve psiko-fizike u eliminuan. Me këtë problematikë u njoftua edhe Ministria e Mbrojtjes, e cila solli vendim për përsëritjen e testimit për kandidatët e eliminuar. Mirëpo, kur kandidatët të hënën kishin shkuar në kontrolle, janë refuzuar nga mjeku psikiatër Petre Rsitevski, i cili vazhdon të jetë i pakapshëm për të treguar arsyet se pse nuk e respekton vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, të enjten tha se ekzistojnë kritika serioze për mënyrën se si është hapur dhe si po zhvillohet procedura për pranimin e kadetëve të ri në Akademinë Ushtarake. Sipas saj, kjo përzgjedhje e kadetëve të ri, në mënyrë të pazakontë, ka filluar në muajin maj. Në këtë formë, thekson ajo, është bërë diskriminim i një numri të caktuar të nxënësve të shkollave të mesme, të cilët fillimisht ishin në pritje të përfundimit të vitit shkollor dhe më pas nuk patën kohë edhe të mjaftueshme të konkurrimit në Akademi. Më tej ministrja Sheqerisnka thekson se është në pritje të raportit zyrtarë se si do të veprohet më tutje, duke theksuar se shkeljet e procedurave janë evidente. “Ankesat dhe reagimet në këtë rast kanë ardhur edhe nga kandidatët të cilët kanë konkurruar, respektivisht revolta e tyre është ndaj procesit jo transparent dhe jo diskret gjatë sjellës së vendimeve. Detyrën time si ministre që e pata unë e bëra, kërkova nga komisioni i angazhuar për përzgjedhje që të prezantojë në të gjithë procesin. Poashtu, kërkova një pjesë e atyre provimeve të përsëritën dhe jo kjo të bëhet prapa dyerve të mbyllura, por e gjithë kjo procedurë të zhvillohet në mënyrë transparente dhe mes tjerash kërkova nga komisioni që të del me rekomandime konkrete si këto gabime në të ardhmen mos të përsëriten. Gjatë dy ditëve të kaluara më njoftuan se disa nga këto udhëzime nuk janë respektuar dhe kështu jam në pritje të raportit zyrtar të komisionit për të sjellë vendim se si do të veprojmë më tutje”, tha ministrja Sheqerinska. Qëllimi kryesor të cilën e synon kabineti i ri i Ministrisë së Mbrojtës, tha më tej ajo, është se kritika e cila një kohë të gjatë është e orientuar drejt procesit që nuk është i bazuar në merita dhe vendime diskrete, të bëhet më i hapur. Kjo mënyrë e veprimit, siç thonë nga kjo Ministri, duhet të bëhet duke e mos shkelur procesin e regjistrimit dhe do të mbahet llogari për të gjitha çështjet. Ministrja Sheqerinska premtoi dhe paralajmëroi se për të gjitha konkurset e ardhshme në Akademinë Ushtarake dhe në të gjitha procedurat tjera në Ministri do të kërkohet dhe do të insistohet që parimi i kualitetit dhe parimi i transparencës të jetë në rend të parë. Ata të cilët nuk kanë çfarë të fshehin, sipas saj, nuk do të mbyllen prapa dyerve dhe në këtë mënyrë nuk do ta mbyllin procesin e mbetur të selektimit. Ndryshe, pas ankesave të shumta të kandidatëve për pranim në Akademinë ushtarake, javën e kaluar Ministria e Mbrojtjes solli vendim që të përsëritet i gjithë konkursi për kandidatët të cilët masovikisht u refuzuan. Ministria e Mbrojtjes ua pranoi ankesat kandidatëve të rënë nga testi, kurse Akademia i nxori emrat në ueb faqen e saj se të njëjtit duhet të paraqiten për së dyti. Mirëpo, kandidatë të hënën nuk janë pranuar në testim, pasi mjeku nuk e ka përfillur vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas kandidatëve, problemi me kontrollet psikiatrike qëndron te mjeku psikiatër, Petre Ristevski, i cili gjatë gjithë kohës është i pakapshëm për të sqaruar arsyet pse nuk e respekton vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes/
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.