Omer XHAFERI
Shkup, 10 korrik – Ministria e Mbrojtjes akoma nuk e ka pranuar raportin e Komisionit konkurrues, të cilin ministrja Radmilla Shekerinska e obligoi që nga afër ta përcjellje rrjedhën e pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve për Akademinë Ushtarake, pas konstatimit të parregullsive të shumta. Zyrtarisht për gazetën KOHA nga Ministria Mbrojtjes thonë se nuk mund të japin më tepër informacione se kur pritet të dorëzohet raporti, apo edhe nëse ekziston afat i caktuar për këtë nga vet Ministria e Mbrojtjes. Zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Lidija Janeçevska, thotë se pas dorëzimit të raportit nga Komisioni, të cilin ditë më parë e paralajmëroj ministrja Radmilla Shekerinska, i njëjti do të bëhet publik për opinionin.
Të hënën e kaluar komisioni psikiatrit pranë Qendrës Ushtarako Mjekësor në Shkup nuk e ka përfillur vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për përsëritjen e kontrollit psikiatrit për kandidatët të cilët paraprakisht u refuzuan. Pas vendimit të MM-së, Akademia ushtarake emrat e kandidatëve të cilët sërish duhej ti nënshtrohen kontrollit i shpalli në ueb faqen zyrtare, mirëpo në datën e caktuar kandidatët janë refuzuar nga mjeku. Kandidatët e refuzuar, të revoltuar dhe të indinjuar nga ky diskriminim, thanë se psikiatri Petre Ristevski nuk ju ka dhënë asgjë sqarim se pse nuk mund të futen përsëri në provimin psikiatrit, por vetëm ju ka bërë të ditur se Rregullorja në bazë të të cilës ai punon nuk lejon testimin e kandidatë dy herë brenda një periudhë gjashtë mujore. Në këtë mënyrë, kandidatët theksojnë se mjeku po vihet mbi vendimin e ministres Radmilla Sheqerinska.
Ndërkaq, raporti i cili pritet të dorëzohet në Ministrin e Mbrojtjes duhet të japë sqarime për procedurën e zhvillimit të konkursit si dhe pse Rregullorja e mjekëve është vënë mbi vendimin e ministres Radmilla Shekerinska, e cila përmes një deklarate publike zyrtarisht e pranoi se konkurs për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake është shoqëruar me mosrespektim të udhëzimeve.
Ndryshe, konkursi i fundit i Akademisë Ushtarake ka ngritur shqetësimin për pranimin e ulët të shqiptarëve, pasi fazat e para të këtij selektimi i kanë kaluar vetëm 3 kandidatë shqiptarë, të cilët nuk dihet nëse do të mbeten deri në fund të procedurës së përzgjedhjes. Me shifra kaq të ulëta të në Akademinë ushtarake, shqiptarët seriozisht rrezikohen që të mbesin pa kuadro të larta në strukturat udhëheqëse, pasi Akademia është parakusht për arritje në majat e ARM-së. Respektimi i parimit të përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes, gjegjësisht pranimi dhe regjistrimi i kadetëve shqiptar në Akademinë Ushtarake konform kornizës ligjore prej 25 për qind sipas ekspertëve të kësaj fushe duhet të sqarohet para fillimit dhe shpalljes publike të konkursit. Në këtë drejtim zëvendës ministri Bekim Maksuti, për gazetën KOHA, javën e kaluar tha se është i njoftuar me problematikën e konkursit, ndërsa garantoi se do të gjendet forma me të cilën do të respektohet 25 përqindëshi i përfaqësimit të shqiptarëve. “Sa i përket këtij konkursi, ne do të presim të përfundojnë të gjitha fazat. Nënshtrimi i testit psikiatrik nuk do të thotë vendim se kush është pranuar. Ju siguroj se nga parimi i 25 përqindëshit nuk do të iket. Në këtë rast ka gjasa që të nënshkruhet vendim për kadetët të cilët i kanë dhënë provimet dhe të përsëritet pjesa e pa mbuluar me shqiptarë”, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Bekim Maksuti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.