Adem XHELADINI
Kërçovë, 23 qershor – Në prani të familjarëve të personave të zhdukura përgjatë të së kaluarës, në objektin e ish Komunës së Zajazit, aty ku është ngritur edhe Qendra Përkujtimore “Nëna Shqiptare” në Zajaz, ish kryetari i ish Komunës së Zajazit, në cilësinë e koordinatorit të projektit të memorialit dhe Komisionit për verifikimin e të dhënave dhe gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftërave që ngjanë përgjatë shekullit të kaluar, nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Shkupit, Prokurorisë Publike të Gostivarit dhe zyrtarëve policorë, ka pranuar kafkat e gjetura kohë më parë në malin e Dardhës në Kërçovë, konkretisht tek shpella e “Kafkave” dhe në “Bunarin e Metë Xhakës” në Zajaz, shkruan gazeta KOHA.
Siç theksoi për KOHA, Musli Musliu, “procesi i verifikimit të ADN-së së kafkave të gjetura ka përfunduar, ndërkohë që çështja tashmë është në proces të hulumtimit dhe hetimit në Prokurorinë Publike të Gostivarit, ku së shpejti pritet të jepen të dhëna të detajuara lidhur me procesin e identifikimit të plotë të tyre, pasi ende është duke u kryer procesi i marrjes së mostrave të ADN-së nga pjesëtarët e familjeve të të zhdukurve, e që supozohet të jenë të familjarëve të tyre. Kafkat e kthyera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, do të ekspozohen në lokalet e ish Komunës së Zajazit, nga ku së shpejti pritet të gjendet një zgjidhje meritore”, ka theksuar për KOHA, ish kreu i ish Komunës së Zajazit, Musli Musliu. Sipas asaj që dihet, tanimë flitet për varrezë masive të Bunarit të Metë Xhakës, ku viktimat janë të vitit 1913, ndërkohë që kafkat e gjetura te shpella në Malin e Dardhës, sipas ekspertëve-speleologë italianë, ato janë të vitit 1945 dhe më pas.
Shumica e familjarëve të të zhdukurve gjatë atyre masakrave të përgjakura të golgotës për mbijetesë, presin zgjidhje të shpejtë të këtyre rasteve dhe besojnë se Prokuroria Publike në Gostivar, do të bëjë çmos që të bëhet zbardhja e shpejtë e kësaj nyje gordiane. Përndryshe, sipas asaj që po flitet dhe që janë siguruar të dhëna, flitet për dhjetëra varreza masive dhe për një numër prej mbi 1500 të zhdukurve shqiptarë në Kërçovë dhe rrethinë dhe që kryesisht kanë të bëjnë me luftërat ballkanike dhe periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, ku një numër i madh i shqiptarëve u pushkatuan dhe u zhdukën pa asnjë proces gjyqësor. (koha.mk)