Shkup, 24 janar – Pesëmbëdhjetë mijë elaborate gjeodezike të domosdoshme për kompletim të dokumentacionit për legalizim të ndërtimeve pa leje nuk janë parashtruar në komuna deri në skadimin e afatit ligjor në fund të vitit të kaluar, për ç’arsye Kadastri do të kërkojë vazhdim të afatit. Të dhënat nga ndërmarrjet gjeodete tregojnë se deri në fund të dhjetorit të vitit të kaluar 5.000 elaborate, edhe pse ishin përgatitur, nuk ishin ngritur nga palët. Dhjetë mijë elaborate ndërmarrjet gjeodete nuk arritën t’i përgatisin sepse kërkesat për to ishin parashtruar para skadimit të afatit dhe nuk ka pasur kohë të mjaftueshme. “Kadastri do ta informojë Qeverinë për gjendjen e këtillë gjithsesi me kërkesë për vazhdim të afatit për parashtrim të elaborateve në mënyrë që të jepet hapësirë që këto 10.000 elaborate ndërmarrjet gjeodete të mund t’i përpunojnë në mënyrë që të parashtrohen, ndërsa 5.000 elaborate qytetarët t’i ngrisin dhe t’i parashtrojnë në komuna”, tha sot në konferencë për shtyp drejtori i Kadastrit, Sllavçe Tërpeski. Prej marsit të vitit 2011 kur filloi procesi i legalizimit përfundimisht me 31 dhjetorin e vitit të kaluar ndërmarrjet gjeodete kanë pranuar 240.000 kërkesa për përgatitje të elaborateve. Prej tyre 225.000 janë përpunuar dhe janë ngritur nga palët. Afati për parashtrim të elaborateve skadoi për kërkesat nga qytetarët për legalizim të parashtruara në afatin e parë për atë mundësi në vitin 2011. Atëherë u parashtruan mbi 360.000 kërkesa, ndërsa deri më tani në Kadastër janë regjistruar 170.000 objekte të legalizuara. Numri i saktë i qytetarëve të cilët aspak nuk kanë parashtruar kërkesa për përpunim të elaborateve, ndërkaq kanë kërkuar legalizim, siç tha Trpeski, do të dihet pasi që do të kryqëzohen të dhënat e ndërmarrjeve gjeodete dhe të komunave. Nga 360.000 kërkesat e parashtruara është e mundur të ketë dyfish apo me një elaborat të kërkohet të përfshihen më shumë objekte. për afatin plotësues për parashtrim të kërkesave për legalizim në fillim të vitit të kaluar u parashtruan 80.000 kërkesa të reja. Ato duhet të kompletohen me elaborate gjeodezike deri në fund të këtij viti.