“Juventus Stadium” ka nisur të gumëzhijë që në orët e para të së dielës për superderbin e Italisë, që do të startojë sot në orën 20:45, mes Juventusit dhe Interit, ndeshja kryesore e javës së 23. “Zonja e Vjetër”, kryesuese me 51 pikë, kërkon të përforcojë primatin dhe mbi të gjitha të marrë hak për humbjen në San Siro. Në kampin tjetër, formacioni zikaltër nuk dëshiron të shkëputet nga gara për vendin e tretë që të kualifikon në Champions League. Në fokusin e Interit është fitorja numër 8 radhazi në kampionat. Juventusi do të duhet të vuajë përballë formacionit milanez, që ka rilindur me trajnerin Pioli. Dy fitoret ndaj Lacios dhe Sasuolos pa pësuar gola janë një provë force e bardhezinjve, që sido që të shkojë, do ta ruajnë vendin e tyre mbi Interin. Precedentët shohin ekipin torinez me 79 fitore në total nga 167 takime të zhvilluara. Fokusi do të jetë gjithashtu në sfidën direkte mes bomberëve në repartin ofensiv, të dy argjentinas. Në njërën anë Gonzalo Higuain, titullar me Argjentinën dhe blerja rekord e verës, ndërsa në skajin tjetër Mauro Ikardi, që synon të debutojë me kombëtaren e tij. Të dy lojtarët kanë secili nga 15 gola në renditjen e shënuesve dhe pas 90 minutave të “Juventus Stadium” sot në mbrëmje, shpresojnë secili se do të distancohen në renditjen e më të mirëve.