Adem XHELADINI
Kërçovë, 18 janar – Në vazhdën e aktiviteteve kulturore në Kërçovë, që dikur pagëzohej “Flaka e Janarit”, sivjet është përzgjedhur një mënyre tjetër për të përkujtuar martirët e janarëve, që nga kryeheroi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e deri tek heronjtë e ditëve të reja, të shekullit të paraçlirimit të Kosovës. Kësisoj, SHVL- UÇK, ka vizituar varret e të rënëve për çështje të atdheut që nga Struga e gjer në Likovë, ku është ndalur edhe në Kërçovë tek varret e Abedin Hysenit, Medin Eminit, Gafurr Zendelit dhe në Kollarë tek varret e Beqir Limanit e Ruzhdi Veliut, dhe kanë vënë lule të freskëta, në shenjë kujtimi dhe mirënjohjeje për veprën e tyre madhore. Karvanit të SHVL-UÇK i prinin Fatmir Limani si dhe Luan Veliu, ndërkohë që mbrëmjen e së hënës, në ambientet e restorantit “Oaza”, një grup dashamirësish të artit të zërit, kishin përzgjedhur të rikujtojnë veprat muzikore të Jusuf Gërvallës, të sjella përmes interpretimit autentik të AVI “Uskana”, një grup i muzikës zbavitëse, i cili në vitet tetëdhjeta të shekullit që iku, u bë sinonim i qytetit të Kërçovës, dhe shpërtheu dyert përtej saj përmes këngës “Gëzohu, Uskana ime”. Ndonëse të gjithë pjesëtarët e këtij grupi ndodhen të shkapërderdhur nëpër metropolet e Evropës dhe SHBA-ve, ata ishin bërë tok, dhe përmes zërave të Sali Shabanit dhe Naser Ballazhit e kitarave të tyre, së bashku me të tjerë kishin vendosur t’i ndajnë kujtimet e tyre, përmes vargjeve të këngëve të Jusuf Gërvallës, duke i sjellë ato të freskëta. Kësisoj para auditorit erdhi origjinal edhe kënga “Do të kthehem nënë”, e cila ngjalli emocione të veçanta tek publiku i pranishëm. Gjatë fjalës së rastit, kryesuesi i Këshillit të Komunës së Kërçovës, Qamil Aliu theksoi se, “JUSUF GËRVALLA është një figurë paksa e veçantë kombëtare, jo pse ai qëndroi në krye të proceseve të mëdha të veprimtarive liridashëse brenda në Kosovë e në egzil, por se ishte një artist i madh në kulturën e letërsisë dhe një kantautor melankolik në artin e muzikës. Këngët e Jusufit ishin dhe mbeten këngë misioni, këngë frymëzimi, dashurie e shprese për studentët e për të gjithë ata që kishin guximin t’u kundërvihen mizorive me zemër të stërmbushur përplot atdhetarizëm. Të këtillët ishin të gatshëm për sakrificë jete e burgu. Dhe kjo në fakt ishte një armatë e tërë e Kosovës e gjithë shqiptarisë. Ky vrull, kjo energji, ky hov i pandalshëm vinte nga ai zë i Gërvallës, sa i largët aq edhe i afërt; vinte përmes vargut, vinte përmes butësisë, urtësisë, durimit e mençurisë së tij, por gjithashtu vinte përmes këngës që vetë e bënte dhe e këndonte. Pikërisht këtë pjesë do të doja ta trajtoj sonte dhe do të përpiqem të shtroj argumentin dhe bindjen time. E pra, po të analizohet brendia e tekstit të këngës, atëherë del se vargu, shpërthimi, refreni, janë një thirrje e butë dhe e kujdesshme për paqe mes shqiptarëve, për bashkim idesë mes krerëve, për luftë kundër absurdeve, për revoltë të shprehur në mënyrë alegorike e ironike kundër heshtjes së Evropës demokratike, kundrejt problemit të Kosovës. Antitezat e fuqishme brenda simbolikave të shtruara me saktësi janë shumë therëse, shpotitëse, demaskuese, sepse në këngë absurdi shprehet edhe përmes mendimit si: në ekuator-le të zbresë Antarktiku, Parisi e Moska le t’i ndërrojnë vendet, le të vjellë Vezufi, etj., se sa më përket mua brenda një nate le të bashkohet Berlini. Këtë këngë Jusuf Gërvalla e këndonte në Shtutgart, në zemër të Europës, atje ku Gjermania ballafaqohej ngjashëm me natyrën e problematikës sonë: me murin ndarës të një kombi. Dhe si flet sot e bëma e krijimtarisë poetike e muzikore e Jusuf Gërvallës? Ajo nuk hesht as në këtë çast që po flasim, sepse nëse mision quhej liria e Kosovës, po kështu mund ta barasvlerësojmë ruajtjen e qytetit të Uskanës. Vetëm ndërgjegjet e zgjuara që kanë tejkaluar çdo lloj egoizmi të rrezikshëm, mund ta përcjellin këtë qëllim dritërues “ theksoi mëtej duke folur në emër të Komunës së Kërçovës kryesuesi i Këshillit tësaj Qamil Aliu. Në këtë kuadër, u shpërndanë edhe pllakata mirënjohjeje nga Komuna e Kërçovës, për anëtarët e AVI “Uskana “, të cilat i ndau Qamil Aliu. Pas pranimit të pllakatës së mirënjohjes Sali Shabani, solist e kantautor i këtij grupi dhe njëkohësh edhe mërgimtar në SHBA u shpreh se “ndjehet i befasuar nga kjo sepse nuk e ka pritur diç të tillë. Do të vazhdoj të këndoj dhe të ruaj trashëgiminë e vendit tim, sepse Uskana, është fryma ime që marr, është gjaku që rrjedh në mua”, tha mes tjerash ai. Ndërkohë Naser Ballazhi, poashtu nga ky grup dhe mërgimtar në Zvicër, theksoi, se “pa dallim i dua, të gjithë sepse Kërçova, është një për mua dhe e pandashme, as me grupe interesi, as me përcaktime të çdo lloji qofshin ato. Ne do të vazhdojmë punën tonë dhe do të japim kontributin që na përket neve, sepse Kërçova, këtë e meriton”, theksoi ai më tutje. Të pranishmit, u argëtuan nën tingujt e muzikës së lehtë deri në orët e vona, ndërsa për të pranishmit, Komuna e Kërçovës kishte shtruar edhe një koktej modest.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.