Vjollca SADIKU
Dibër, 6 maj – Pas proceseve të tranzicionit, në Dibër mes bizneseve të para ishte edhe fabrika e jufkave dibrane “Besmir Komerc”. Pronarët të kësaj fabrike, duke shfrytëzuar traditat e gatimeve dibrane, me sukses rrugëtojnë më se dy dekada. Është një investim serioz dhe është një ndër fabrikat më moderne të rajonit dhe me teknologji bashkëkohore në Maqedoni për prodhimin e jufkave, shkruan gazeta KOHA. Ky biznes i cili ka në thelb të suksesit gërshetimin e gatimeve tradicionale të prodhuara me teknologji moderne, është duke arritur rezultate shumë të mira . “Jufkat e Dibrës” që tani përgatitet në shumë treva shqiptare, dihet se zanafillën e tyre e kanë në gatimet dibrane. Tani jufkat e Dibrës mund të përgatiten në mënyra të ndryshme dhe me makina të ndryshme, mirëpo në Dibër më herët jufkat e famshme dhe të shijshme të Dibrës, janë përgatitur me dorë dhe me një mjeshtri të përsosur nga amviset dibrane. Gratë e moshuara dibrane tregojnë se dita kur janë përgatitur jufkat në familje, ka qenë një gëzim i madh. Familja që ka bërë jufka ka ftuar patjetër edhe bijat e shtëpisë që kanë dalë nuse pra janë martuar, me gjithë nipat e mbesat, hallat e shtëpisë, se ishte nata që do bëhej gatimi me jufkat e para të sezonit. Mirëpo, sipas traditës dibrane, ishte pak e vështirë se kush e niste i pari ose si shprehen dibranët – kush do të derdhi lugën e parë të jufkës, me një domethënie, që ato ishin bërë shumë të mira dhe do të derdheshin gjatë gjithë vitit.
Fabrika “Besmir Komerc”, më e madhja dhe më modernia në rajon, tanimë jufkat i plason në tregun e vendit, atë të Shqipërisë dhe Kosovës, dhe kohëve të fundit edhe në Amerikë. Pronari i fabrikës, Munir Papraniku, thotë për KOHA se shija e jufkave që prodhon fabrika e tij është shija e jufkave tradicionale dibrane. Po sipas tij, pikërisht kjo shije dallon prodhimin që ka kjo fabrikë e jufkave me jufkat që prodhohen në fabrika të tjera. Jufkat e Dibrës kanë karakteristikat e tyre, prandaj janë të kërkuara edhe në tregje të ndryshme. Kemi një rritje të prodhimtarisë, thotë Papranuku dhe shton se nga viti në vit sukseset janë më të mëdha. Munir Papraniku rrëfehet se është shumë i kënaqur me tregun e jufkave, por dëshira e tij është që ajo të ketë edhe më shumë treg në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe trevat tjera shqiptare, mbasi ky hyn në ushqimet tradicionale shqiptare të kësaj treve.
Në një kontratë me kompaninë e shpërndarjes së produkteve ushqimore në SHBA, Euro – Products, me bazë në Paterson – Nju Xhersi, fabrika nga Dibra, “Besmir Komerc”, ka 4 vjet që ka hyrë tashmë edhe në tregun amerikan të produkteve ushqimore. Kërkesat janë në rritje, me që përveç dibranëve dhe shqiptarëve në SHBA, sipas tregtarëve amerikan, jufkat me shije shumë të mirë u pëlqejnë edhe amerikanëve.
Fabrika e investitorit Munir Papraniku, e cila me sukses mbron shijen e jufkave dibrane, përveç rritjes së prodhimtarisë, ka një domethënie të madhe edhe në drejtim të aspektit humanitar. Ajo në luftën e Kosovës, pothuajse dy muaj punoi falas – duke furnizuar kampet e të shpërngulurve me prodhimet e miellit – jufkat e makaronat.
Gjatë përmbytjeve që ndodhën në disa rajone të vendit – duke u solidarizuar me vëllezërit tanë nga Hasanbegu të Shkupit, Komuna Dibër e Madhe, në bashkëpunim me pronarin e fabrikës “BESMIR KOMERC”, Munir Papraniku, si dhe biznesmenin nga SHBA, Muharem Shehu, dërguan disa tonë jufka të Dibrës, por edhe prodhime të tjera siç janë makarona dhe gatime të bardha. Duke folur me pronarin e kësaj fabrike, zotin Papraniku, ai shprehet se”fabrika e jufkave aktivitetin e saj të ndihmave humanitar do ta vazhdojë pandërprerë, me qëllimin për t’u dalë në ndihmë banorëve të çdo treve shqiptare, duke shtuar se bujaria dibrane nuk do të mungojë asnjëherë”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara