Fondi i Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), njoftoi se në Jemen 10 milionë fëmijë kanë nevojë për “ndihmë emergjente”. Në njoftimin e rrjetit social të zyrës së UNICEF-it në Jemen, thuhet se fëmijët në Jemen kanë nevojë për kujdes themelor shëndetësor, ushqim, ujë të pijshëm të pastërt, mbrojtje dhe edukim.
Më tej thuhet se në vend gjenden 10 milionë fëmijë të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente. “Për të ndihmuar sa më shumë fëmijë në qytete të ndryshme të Jemenit, UNICEF-i është duke punuar pa ndalur me organizata vendase dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e UNICEF-it. Jemeni prej më shumë se dy vitesh është skenë e përleshjeve mes Husive dhe mbështetësve të ish-presidentit Ali Abdullah Saleh të cilët përkrahin Husitë, në njërën anë, dhe forcave të qeverisë legjitime, në anën tjetër. Jemeni i cili për shkak të përleshjeve dhe varfërisë ballafaqohet me probleme serioze në fushën e shëndetësisë, kohëve të fundit lufton edhe me epideminë e kolerës.