Rrugët para Pallatit të Bakingemit prej sot do të mbyllen gjatë ndërrimit të rojtarëve, ndërsa kjo masë është vendosur pas sulmit me kamion në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, në të cilin u vranë 12 persona, njoftoi policia londineze. Policia theksoi se kjo masë është e domosdoshme për shkak se ky lokacion tërheq një numër të madh vizitorësh. Mbyllja e rrugëve gjithsesi ka qenë e planifikuar, por kjo masë është vendosur për shkak të sulmit në Berlin. “Me mbylljen e rrugëve do të ketë edhe masa shtesë sigurie që të sigurohet mbrojtja e rojtarëve”, shtohet në kumtesë. Policia theksoi se shqyrton edhe disa masa sigurie, sepse është vlerësuar se “ka mundësi të madhe që të ndodhë një sulm terrorist”.